Ligji për bashkëqeverisje, Braimllari: Rama kërkon të vendosë gjithçka nën kontroll
“Agjencia për dialog dhe bashkëqeverisje”, është një ligj i cili synon që ta sjellë më afër qytetarin në kontrollin e administratës publike. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, thotë se LSI-ja e ka bërë të qartë që e ka kundërshtuar këtë ligj. Për të arsyeja është shumë e thjeshtë sepse ky ligj tenton që gjithçka ta kthejë në duart e kryeministrit.
”Ajo që unë do të them me bindje të plotë është që ky ligj është antikushtetues dhe është një ligj i cili nuk i shërben komunikimit të përditshëm me qytetarët, por anasjelltas nuk mund ta kuptoj si mundet një qeveri të bashkë-qeverisë me qytetarët kur ajo qeveri është e detyruar t’i shërbejë qytetarëve. Ti je aty për t’i shërbyer qytetarëve, qytetarët kërkojnë llogari. Për çfarë arsye u krijua SPAK, për çfarë arsye u krijua reforma në drejtësi? Ku keni parë ju kryeministër i cili jep urdhra me telefon? Kjo kërkon të vendosë gjithçka nën kontroll të kryeministrit, një agjenci që është në kontroll të tij. Tani do bëhet Edi Rama prokuror, gjykatës?”,-tha në ”Ora News”.
Braimllari u shpreh se LSI është drejtuar në Gjykatën Kushtetuese për të treguar që ky mekanizëm është antikushtetues dhe nuk i shërben shtetit të së drejtës.