Ligji për median, Shkullaku: Gazetarët në protestë. Rakipi: Rama që doli lakuriq, do jetë rojtar i moralit
Partia Demokratike organizoi sot një tryezë për lirinë e medias dhe projektligjin e diskutueshëm që qeveria ka propozuar për kontrollin e mediave online. Shumica e gazetarëve të pranishëm u shprehën kundër projektit të qeverisë, i cili është një formë e re censure për lirinë e fjalës.
Gazetari Armand Shkullaku i ka cilësuar projektligjet e hartuara nga qeveria si një tentativë për të kapur mediat. Në tryezën e organizuar nga Partia Demokratike me përfaqësues të mediave, Shkullaku tha se ajo që komuniteti i gazetarëve duhet të diskutojë është mënyra që do të ndiqet për të ndaluar miratimin e projektligjeve në fjalë.
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/278028542868869/
Shkullaku përmendi si opsion daljen e gazetarëve në protesta, si në rastin e studentëve, duke thënë se me gjuhën e argumenteve vështirë se qeveria do të bindet për t’u tërhequr.
“Tentativë e qeverisë për të kapur mediat, ose për ti mbyllur gojën atyre mediave që janë kundër për mënyrën si po qeveris kjo qeveri.
Unë mendoj se ne duhet të diskutojmë dhe të shohim është çfarë duhet të bëjmë që ky njeri të ndalet. Duhet të dalim dhe ne si studentët, duhet të marrim disa masa që të frenohet sepse kemi kuptuar që ky njeri frenohet dhe tërhiqet vetëm nga gjuha e forcës nga gjuha e argumenteve që ne këtu po përpiqemi të japim besoj se do arrijmë gjë”, u shpreh ndër të tjerash Shkullaku.
Ylli Rakipi: Rama, ekzibicionisti që na tregoi organet gjenitale, tashmë rojtar i moralit publik
Ylli Rakipi, në një tryezë të organizuar për lirinë e medias, e ka quajtur projektligjin e propozuar nga Edi Rama, një atentat ndaj fjalës së lirë, një përpjekje që etika të kthehet në ligj, në mënyrë që kryeministri të shpëtojë nga ankthi që e ka zënë, duke i mbyllur gojën gazetarëve.
Projektligji parashikon krijimin e një Këshilli Etike, i cili do të vlerësojë artikujt dhe publikimet e mediave dhe do të vendosë gjoba deri në mbyllje, nëse nuk janë konform moralit publik.
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1758195120952786/
“Një njeri i shqetësuar shumë, ka rënë në një makth dhe i duhet një ligj për median. Përse i duhet këtij njeriu një ligj që thyen të gjithë rregullat? Një njeri që ka kohë që nuk e qeveris dot këtë vend, kërkon të bëjë një ligj për pushtetin e katërt. Është ankthi i këtij njeriu për të mos dëgjuar atë që media dhe gazetarët kanë për të thënë për këtë.
Thelbi i këtij ligji, është krijimi i një rojtari për të ruajtur moralin publik.
Ekzibicionizti që e kemi parë të na tregojë organet gjenitale, kërkon të jetë rojtar publik i moralit që do të përcaktojë ky dhe do të ngrejë një këshill etike.
Kemi jetuar 30 vjet në media. Kemi parë Berishën që bëri përpjekje, por nuk e bëri asnjëherë Berisha provën, që kodin e etikës ta kthente në ligj.
Përpjekja që etika të bëhet ligj, është monstruoze, nuk ndodh në asnjë vend të botës, nuk di që edhe Erdogan të bëjë këtë gjë. Nuk ka mundësi që vetërregullimi të bëhet ligj.
Jemi përballë atentatit që do të sjellë mbylljen e mediave. Si të futësh në kushtetutë frazën, “shtypi nuk është i lirë”. Është për të klithur fort dhe për ta ndalur”, u shpreh Rakipi në tryezën e organizuar.
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1018615514996108/