Ligji për prokurimet, Brahaj: Nuk zgjidh ngërçin, duhet reformë e thellë
Ndryshimet e reja ligjore në prokurimet publike nuk i japin zgjidhje ngërçit të krijuar me tenderat. Drejtuesja e Open Data Albania, Aranita Brahaj, deklaron se ndërhyrjet e qeverisë janë të pamjaftueshme, ndërsa vlerëson si të domosdoshme një reformë të thellë në këtë sektor.
“Ne kishim nevojë për një reformë në sistemin e prokurimeve publike. Ligji përmbush disa nga kërkesat që janë parashtruar, por jo në mënyrë specifike ato që kanë të bëjnë me transparencën dhe konkurueshmërinë”, thekson Brahaj, e cila propozon ngritjen e një sistemi elektronik si dhe praninë e një aktori të tretë ndërkombëtar për monitorimin e kontratave publike si dy nga mënyrat më efikase për të luftuar korrupsionin me tenderat.
Sipas Aranita Brahajt, ligji duhet të shoqërohej paralelisht edhe me aktet nënligjore përkatëse për të shmangur procedurat e parregullta dhe dhënien e tenderave pa garë.