Lihet në qeli shefin i anti-drogës në Durrës: Nuk e pranova zarfin, por ma futi në xhep
Gjykata e Posaçme ka caktuar këtë të shtunë masën e sigurisë “Arrest me burg” për shefin e anti-drogës në Policinë e Durrësit, Gazmir Preçi, i cili u arrestua tre ditë më parë si gjobëvënës ndaj bizneseve.
Preçi kishte kërkuar një masë më të butë sigurie, për shkak se është baba i tre fëmijëve, por kërkesa e tij është rrëzuar nga GJKKO.
Gazmir Preçi dyshohet se duket përdorur detyrën, i ka kërkuar pronarit të një lokali nate striptizmi tek Ura e Dajlanit në Durrës, që t’i jepte 20 mijë euro, në mënyre që ta linte që të punonte.
Fillimisht ai kishte organizuar disa kontrolle pa asnjë baze dhe kur nuk u gjet asgjë e paligjshme kishte pretendime se biznesi kishte punonjës të pa siguruar, gjë që nuk ishte në kompetencë të tij për ta kontrolluar.
Është rënë dakord që në momentin e parë të jepeshin 10 mijë euro. SPAK dhe AMP ka qenë në dijeni të momentit kur do të jepej kjo shumë si dhe eurot kanë qenë të regjistruara me numër serie, duke e arrestuar në flagrancë.
Gjatë seancës së sotme në GJKKO, Gazmir Preçi ka mohuar akuzat, teksa treguar edhe versionin e tij të ngjarjes.
“Kam shkuar vetëm se më ka kërkuar pronari i biznesit. Nuk e dija se kishte lekë brenda zarfit dhe në momentin e arrestimit kam kërkuar që pakoja të hapet në praninë e avokatit, gjë e cila nuk më është mundësuar.” – ka thënë Preçi.
Ai ka deklaruar se ka pasur nën hetim pronarin e lokalit të striptizmit për shkak se dyshohej sipas informacioneve se brenda ambienteve shpërndaheshin lëndë narkotike. Për këtë arsye ka proceduar edhe nipin e pronarit i cili momentalisht ndodhet në burg për lëndë narkotike.
Sa i përket momentit të arrestimit , Gazmir Preçi ka deklaruar se pronari i lokalit e ka marrë disa herë në telefon dhe i ka kërkuar takim.
Shefi i anti-drogës së Durrësit pretendon se ka kërkuar takim në zyrën e tij të punë me pronarin, por ai nuk ka pranuar, dhe më pas e kanë lënë të takohen pas pune.
Pasi janë takuar në Tiranë, Preçi pretendon se pronari i biznesit i ka shprehur shqetësimin se Policia e ngacmonte shpesh. Ai pretendon se i ka thënë pronarit të lokalit që të mos kryej aktivitet të paligjshëm që ta lënë rehat.
Pasi janë ngritur nga lokali kanë hipur në makinë dhe pasi ka dashur të zbres nga makina sipas pretendimeve të Gazmir Preçit, ai i ka thënë se i ka bërë një zarf dhuratë.
“Të kam taksur një dhuratë!” i ka thënë pronari, sipas dëshmisë së Gazmir Preçit. Ky i fundit nuk e ka pranuar por biznesmeni ia ka futur në xhepin e pasëm ku dhe janë gjetur nga agjentët e AMP-së.
Në këtë moment, shefi i antidrogës u ka kërkuar agjentëve të AMP-së të mos e hapin zarfin derisa të kishte në prezencë dhe avokatin e tij.
Gazmir Preçi me gradë kryekomisar akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv”
Ndërkohë në vitin 2021, në kohën kur ka qenë shef krimesh në Mallakastër, Gazmir Preçi figuron të ketë qenë në hetim për lejimin e kultivimit të kanabisit në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës.