“Lindën për të qenë të lira”, si ua prezanton shqiptarëve gruan saudite shkrimtarja e njohur dr. Fawzie Abu Khalid! Jeta artistike dhe akademike mes Rijadit dhe Amerikës

Poetja dhe akademikja saudite, dr. Fawzia Abu Khalid, ka lindur në Rijad, kryeqytetin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, në fund të viteve pesëdhjetë. Që në moshë të vogël e pëlqente poezinë, kurse në shkollën e mesme e ushtroi praktikisht si redaktore dhe shkrimtare për gazetën saudite “Okaz”.

Në vitin 1976, ajo zhvendoset në Amerikë për të përfunduar studimet, kurse në vitet tetëdhjetë u angazhua në mësimdhënie, fillimisht si asistente dhe më pas si pedagoge në Departamentin e Studimeve Sociale në Universitetin e Mbretit Saud, në Rijad. Në vitin 1984, Fawzia Abu Khalid, u diplomua në studimet master në universitetin e Mbretit Saud, dimensioni social i angazhimit bujqësor i gruas në rajonin Asir dhe Tihama, në jug të Arabisë Saudite. Ajo konsiderohet si pioniere e poezisë në prozë në Mbretërinë e Arabisë Saudite. E filloi karrierën e saj si poete dhe shkrimtare që në moshë të re, gjë e cila e ekspozoi ndaj kritikave dhe sulmeve të shumta.

Në vitin 1996, ajo përfundoi doktoraturën në universitetin Salford në Britaninë e Madhe, me temë “Gruaja dhe diskursi politik”. Në vitin 2009 Fawzie Abu Khalid u angazhua si pedagoge në Universitetin e Portlandit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u rikthyer rishtazi në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Ajo ka prezantuar më shumë se njëzet punime analitike në fushën e grave, si në arabisht ashtu dhe anglisht, shto pjesëmarrjen e saj si konsulente dhe studiuese pranë Kombeve të Bashkuara, që nga fillimi i mijëvjeçarit të ri. Fawzia Abu Khalid ka disa botime me poezi, si “Deri kur do të rrëmbejnë natën e dasmës” botuar në vitin 1975, “Lexim sekret i historisë së heshtjes arabe” botuar në vitin 1982, “Uji mirazh” dhe “Elegjia e ujit”. Shumë nga veprat e saj poetike janë përkthyer në katër gjuhë të huaja si anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht, duke përfshirë dhe librat “Gra nga gjysmëhëna pjellore” dhe “Gra pa kufi”. Gazeta “Panorama” mundi ta intervistojë shkrimtaren saudite, e cila tregon fillesat e të shkruarit, kalimin mes shtigjeve të mistershme përgjatë rrugëtimit të gjatë deri te pika e lidhjes me shqiptarët.

Dr. Fawzia abu Khaled, Cilat janë fillesat tuaja letrare?!

Për këtë më duhet t’u kthehem vitet të para të fëmijërisë, atje ku zbulova flatrat e para, njëlloj si artistja pamore dhe shkrimtarja meksikane Frida Kahlo. Pra, e nisa me leximin e librave të shkollës, mësimin e gramatikës dhe të shprehurit, falë të cilave një vajzë e njomë mund të shpikë qilima fluturues drejt horizonteve, të cilët nuk do mund t’i shkelte pa u përballur me sfidën e krijimit të një shtegu të ndryshëm. E nisa duke imagjinuar ecjen nëpër shtigje të pashkelura, plot shpresë në aftësitë e mia edhe pse fëmijë i njomë, për t’u shndërruar në një aeroplan letre, apo në një mjellmë të egër e të fluturoja sa më lart. Në këtë shteg të mistershëm dhe tundues fillova të hedh në letër fytyrën time dhe të njerëzve të dashur përreth, në të gjitha gjuhët që mund të flasë një fëmijë që s’i ka kaluar shtatë vite. Nga gjuha e lojës në gjuhën e ëndrrave, nga gjuha e dhimbjes në gjuhën e çudirave. Kështu fillova të shkruaj duke vënë në dispozicion të gjithë energjitë e mia fëmijërore dhe kapacitetet e mia fantazuese, për të gjithë ato fytyra që i perceptoja të kurorëzuara me butësi dhe mirësi, por edhe ato të maskuara me ashpërsi dhe zymtësi; fytyra të mistershme por dhe qartësisht të lexueshme; fytyra të trishta dhe të tjera të lulëzuara si lulet e pranverës. Nuk u mjaftova me analizimin e fytyrave të familjarëve, mësueseve, kolegeve dhe mikeshave, por shkrova dhe fytyrat e mjekëve, infermierëve dhe trajnuesve të terapive natyrale.

Shkrova për fëmijët me fytyrë të pllakosur nga paniku dhe thyerja e zemrës, por edhe për fëmijët me fytyrë vezulluese. Shkrova për fytyrat e nënave dhe etërve që llamburitin shpresë, por dhe për fytyra të zvetënuara nga mungesa e shpresës. Shkrova për fytyra si ajo e nënës sime, e guximshme në raste sprovash dhe me vështrim të mprehtë, plot besim tek Zoti, i cili, i pajisi fëmijët e vegjël me aftësinë e rezistencës dhe rifillimit të jetës pas vështirësive. Sëmundja ime nga poliomieliti në moshë të re mu kthye në një bekim, duke zbuluar dhe kristalizuar më tej talentin tim letrar. Ajo më çoi drejt horizonteve të largëta dhe të larmishme, duke u njohur me kultura të ndryshme të vendit tim, midis Hexhazit dhe Nexhdit. Në Nexhd u orvatën të më shërojnë me yshtje, duke lexuar pasazhe Kurani në ujë të përzier me shafran, sakaq në Hexhaz terapia konistonte në djegin, harmonizuar dhe me ilaçe popullore. Udhëtimet në rajone të ndryshe ishin një shans që pak nga vajzat e brezit tim e gëzonte dhe kjo mu dha falë interesit të madh të prindërve të mi për të më shëruar nga poliomieliti. Falë kësaj, kalova kohë në malet e Libanit, në detin e Egjiptit, në Francë dhe Zvicër. Kurse fillesat e mia serioze në të shkruar nisën falë nxitjes së vazhdueshme të nënës dhe falë mbështetjes së pakursyer të babait. Isha në klasën e gjashtë në tetëvjeçare kur pranova një ofertë për të shkruar në një nga gazetat më të njohura në Arabinë Saudite atëbotë, në fund të viteve gjashtëdhjetë dhe në fillim të shtatëdhjetave. Me duart e mia të njoma fillova të shkruaj në mënyrë të përditshme “Kolona e pikëzave”, duke mos u mjaftuar me përshkrimin e fytyrave që më rrethonin nga mjedisi familjar dhe ai shkollor. Falë leximit të qindra librave që më sillnin prindërit nga brenda dhe jashtë, por dhe ato që më dhuroheshin nga mësuesit dhe intelektualët, fillova të trajtoj dhe tema jashtë mjedisit familjar dhe shkollor, duke shkruar për lagjen time, qytetin tim Xhedda dhe më pas edhe për atdheun, me gjithë fushat e luginat e tij, baticat e zbaticat por dhe lëvizjen e historisë sociale të tij. Me akumulimin e përvojave dhe me zgjerimin e horizontit të jetës sime personale dhe publike, falë leximeve dhe udhëtimeve të shumta, fillova të shkruaj edhe për vendet arabe dhe vende të ndryshme të botës.

Ju keni shkruar poezi prozë në Arabinë Saudite, duke e thyer traditën e shkrimit të poezisë vertikale. Si u prit ky lloj rebelimi i juaji në shoqërinë konservatore saudite?

Bashkë me pasurimin e përvojës sime në shkrimin e artikujve, filloi të formësohet dhe përvoja në shkrimin e poezive në prozë dhe kjo ndodhi kur libri im i parë me poezi “Deri kur do ta rrëmbejnë natën tënde të dasmës” pa dritën e botimit. Ai u botua nga Shtëpia botuese Al auda, në Bejrut, e cila përfaqësonte rrymën kulturore përparimtare të lëvizjes së poezisë moderne arabe, falë botimit të poezive të poetëve arabë më të njohur bashkëkohorë, si Mahmud Dervish, Adonis, Muhamed Al maghout etj., të cilët janë pionierët e poezisë prozë në botën arabe. Një shtresë kritikësh sauditë e mirëpritën botimin me poezi dhe e vlerësuan guximin tim për të shkruar poezi në prozë në disa gazeta kulturore saudite, duke vënë theksin se libri shtron pyetje ekzistenciale dhe sociale, ku ndërthuret dimensioni njerëzor me atë feminist në kulturën arabe. Kurse një shtresë tjetër u befasua nga libri.

Sipas tyre, ishte e papranueshme që një vajzë në zemër të Gadishullit Arabik, në tokën e poezive të njohura si “Al muallakat”, të braktisë poezinë klasike dhe vertikale dhe të shkruaj poezi moderne në prozë. Ata e konsideruan botimin e një libri të tillë si rebelim ndaj poezisë vertikale së trashëguar, madje disa e konsideruan edhe si komplot ndaj gjuhës arabe dhe zhbërje të historisë poetike. Asnjë prej tyre nuk e merrte me mend në atë kohë, se kjo përvojë unike e një vajze saudite, do të përbënte bërthamën e parë në formimin e lëvizjes së poezisë moderne në tokën e Arabisë Saudite.

A vazhdon të jetë gruaja poete dhe krijuese në Arabinë Saudite e harruar, apo ka filluar t’i bëjë konkurrencë burrit edhe në atë shoqëri që përshkruhet si mashkullore?

Janë dashur dekada të tëra debatesh e polemikash sociale, fetare dhe ligjore që një shoqëri konservatore si e jona, të zhvillohet dhe hapet, ashtu siç janë dashur një sërë betejash të vogla ditore, krahas rilindjes arsimore dhe vendimeve politike, për ta shtyrë shoqërinë dhe shtetin që të pranojnë ndryshimin pozitiv. E gjitha kjo ka ndikuar në fuqizimin e gruas saudite si poete, krijuese dhe si njeri me aftësitë konjitive për të kontribuar në çdo fushë të jetës personale dhe publike, duke frymëzuar dhe brezat e ardhshme.

Ju merrni pjesë në komisionet e poezisë dhe vlerësimit letrar në Mbretëri dhe jashtë Mbretërisë, siç jeni anëtare në komisionin e jurisë për Çmimin Arab Bakour, si dhe Çmimin e Poezisë Arabe në programin televiziv Al-Mu’allaka 45 në kanalin kulturor MBC. Si i shihni çmime të tilla dhe cili mund të jetë ndikimi i tyre letrar dhe kulturor, në vendet arabe në përgjithësi dhe në Mbretëri në veçanti.

Çmimet e tilla i shoh si një imitim të traditës letrare, poetike, madje edhe artistike e kinematografike në rang ndërkombëtar, por i shoh dhe si një traditë poetike arabe që daton shumë kohë më parë, ku Okazi dhe historia e Al Muallakat kanë qenë një fenomen që ka potencialin të ketë një efekt pozitiv dhe stimulues në produktin kulturor. Prandaj, ata mund të meritojnë të organizohen dhe në botën arabe, por me kushtin e kreativitetit, jo për qëllim reklamimi, pra që këto çmime të mos organizohen vetëm për qëllime financiare, reklamim dhe marketing, të cilat bien ndesh me krijimtarinë letrare dhe qëllimin e saj. Në përpjekje për t’iu qasur më tej pyetjes, konstatoj se një konkurs i poezisë në dialekt, apo asaj letrare, qoftë vertikale, diambike apo prozaike, llogaritet në bilancin e nismave pozitive për të nxitur përhapjen e poezisë në çdo shtëpi arabe dhe saudite. Organizimi i një konkursi poetik për poezinë letrare dhe atë të shprehur në dialekt, është një rast i paprecedent në botën arabe. Arabia Saudite e ka çuar poezinë arabe në çdo shtëpi, duke e transmetuar atë në kanalet audiovizive dhe të lexuara, por edhe në aplikacionet e telefonave ‘smart’. Së dyti, duke organizuar një konkurs poetik me titull “Al muallaka – e varur” lidhet titulli modern me atë historik, duke e bërë atë të sotmin si një zgjatje dhe përtëritje të “Almuallaka” së shkuar, pasi siç e dimë, në lashtësi, poezitë më të mira shkruheshin dhe vareshin mbi muret e Qabesë. Poezitë fituese në konkursin e lartpërmendur u varën edhe në hapësirat publike të Rijadit, krahas çmimeve monetare.

Reformat e mëdha në Arabinë Saudite i kanë fuqizuar gratë në një mënyrë të paprecedentë. A iu përgjigjën në mënyrë adekuate gratë, këtyre reformave madhore të ndërmarra nga qeveria?

Po, gratë saudite janë në të gjitha frontet, duke përfshirë frontin mjekësor, arsimor, akademik, në siguri, inxhinieri, art, kinematografi, shkencë, letërsi dhe diplomaci. Ajo dëshmon se është vajza dhe mbesa e asaj gruaje saudite që ka qenë gjithmonë e duruar, ka luftuar dhe ka punuar, ka qenë produktive në luftë dhe paqe dhe është marrë që nga blegtoria dhe bujqësia deri në industrinë shtëpiake, në kushte të vështira dhe kufizime pafund. Gratë saudite sot jetojnë atë që quhet epoka artë e fuqizimit të gruas.

Çfarë ndikimi patën këto reforma në jetën dhe krijimtarinë e Fawzia abu Khaled?

Në këtë pikë më duhet të huazoj atë fjalën e urtë e cila thotë: “Kush nuk falënderon njerëzit, nuk falënderon Zotin” si dhe “Kush nuk gabon dhe kritikën s’e pranon, nuk përparon”. Këto dy thënie janë gjysma e përgjigjes sime për këtë pyetje. Nuk është veçse një injorant dhe mosmirënjohës ai që mohon gjithë këtë transformim gjithëpërfshirës që Mbretëria e Arabisë Saudite përjeton në nivelin e jetës publike në dekadën e dytë të mijëvjeçarit të dytë. Në nivel politik janë marrë vendime jetësore lidhur me femrën saudite si qytetare e përgjegjshme, e logjikshme, e zonja dhe e pavarur. Asaj iu mundësua pjesëmarrja në jetën publike, duke e thyer opinionin publik historik, i cili ia mohonte asaj këtë të drejtë. Kurse në lidhje me ndikimin që këto reforma kanë pasur te Fawzia abu Khaled personalisht, më duhet të them se si një myslimane arabe, si qytetare saudite dhe si shkrimtare e përkushtuar, kam qenë në mbrojtjen e kauzave të drejta, të drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor dhe si një poete e apasionuar pas bukurisë dhe lirisë, në kuptimin filozofik dhe absolut kam punuar për t’i promovuar këto koncepte të mëdha, në harmoni me shtresat elitare dhe të iluminuara të shoqërisë saudite, gra e burra nga “Klubi i Lumturisë”, por edhe me zyrtarët në nivel politik. Kam shkruar artikuj dhe libra, kam bërë studime mbi të drejtat e grave, të cilat janë privuar edhe nga nxjerrja e një letërnjoftimi, nga e drejta për arsimim, punë, martesë dhe divorc, përkujdesje të fëmijëve, banesë, udhëtim dhe siguri në hapësirën publike, udhëtim jashtë vendit për arsimim, punë apo për turizëm. Prandaj, kushdo që ndjek rrugën e përshkruar dhe çmimin që është dashur për të paguar për të përmbushur ëndrrat modeste dhe të mëdha të gruas saudite, e kupton që këto reforma të thella, të çmuara dhe aq shumë të kërkuara, janë një fitore personale e imja dhe e të gjitha grave të këtij vendi, por edhe e burrave të shoqërisë ku jetoj.

Si do mundej poetja dhe studiuesja saudite Fawzia Abu Khaled ta prezantojë gruan saudite me popullin shqiptar, i cili nuk di shumë për të?

Gruaja saudite, e çdo gjenerate dhe shtrese, dallohet për bukurinë e saj në formë dhe substancë. Si të gjitha gratë në botë, ajo ka jetuar periudha të gjata historike të margjinalizimit dhe përjashtimit si rezultat i justifikimeve komplekse dhe të padrejta. Megjithatë, ajo takohet me gratë e botës në frymën e qëndresës, vizionit, durimit dhe vullnetit për ta kthyer mirazhin në ujë të freskët. Ajo lindi e lirë për të jetuar e lirë. Të mos harrojmë se gruaja saudite, është mbesa e Haxheres, e cila ishte e para që ndërtoi një metropol në një vend të shkretë në një luginë të pabanuar në qytetin e Mekës së shenjtë. Gruaja saudite është bijë e së tashmes dhe bijë e së ardhmes, është nënë dhe bashkëshorte, punëtore, studiuese e shkrimtare, qytetare dhe një qenie njerëzore e plotë që e do lirinë si simbol të dinjitetit.

Përvojat tuaja akademike kanë qenë të ndryshme, nga studimet bachelor në Amerikë, specializimi në sociologji, studimi në Britani për doktoraturë, specializimi në sociologjinë politike dhe sociologjinë konjitive, nga mësimdhënia në Universitetin e Mbretit Saud deri te mësimdhënia në universitetet amerikane. Keni punuar si konsulente në Kombet e Bashkuara dhe jeni marrë me kërkime në fushën e aktivizimit të grave, nga kërkimet teorike akademike deri te kërkimet në terren në fushën e punës bujqësore të grave në rajonin e Asirit në Mbretëri. Si keni arritur të kombinoni mes specializimit akademik, frymëzimit dhe imagjinatës së lirë që kërkon poezia dhe letërsia? Cila ka ndikim më të fortë në jetën tuaj?

Një pyetje e vështirë dhe interesante në të njëjtën kohë. Unë besoj se çdo qenie njerëzore në këtë jetë ka projektin e tij për të cilin jeton, punon dhe lufton, duke i kushtuar vrullin e rinisë, mençurinë e moshës dhe përvojën e fituar ndër vite, sidomos nëse ky njeri ka lindur, si unë, në tokën e një atdheu të qëndrueshëm, me potenciale të shumta dhe i prirur për thellimin e unitetit kombëtar. Unë besoj se projekti im i jetës u bazua në katër shtylla dhe disa pikëpamje. Shtylla e parë e projektit tim të jetës ishte shkrimi, konkretisht shkrimi i një opinioni analitik ndriçues që pranon mandatin hyjnor për të ndërtuar dhe zhvilluar jetën në tokë, që kërkon të drejta dhe pranon detyrimet si përgjegjësi kombëtare, beson në paqen dhe rezistencën së bashku, në lirinë dhe drejtësinë, në bukurinë dhe dashurinë, në stabilitetin dhe ndryshimin. Shtylla e dytë e projektit të jetës sime ishte puna akademike, pyetja kërkimore e bazuar në mendimin kritik dhe të menduarit krijues. Sa i përket shtyllës së tretë, ajo përfaqësohej nga pasioni poetik dhe projekti im bazohej në ambicien e rinovimit poetik dhe prezantimit të poezisë në forma që përzihen me poezinë e lashtë klasike, por jo e varur prej saj, madje e frymëzuar prej saj, drejt kufijve të rinj të poezisë moderne. Sa i përket shtyllës së katërt të jetës sime, është sinqeriteti dhe përkushtimi ndaj mëmësisë në mënyrë krijuese, duke mos e kufizuar atë në përvojën e lindjes, pavarësisht madhështisë së kësaj përvoje, por duke zbuluar mundimet e përditshme të mëmësisë në miqësinë me fëmijët dhe duke hapur krahët e tyre në të njëjtën kohë. Për këtë arsye, ishte e nevojshme të kisha pikëpamje dhe këndvështrime të shumta që do të më bënin të zbuloja energjitë e njohura dhe të fshehta që mund ta ndihmonin vajzën e palmave, që banon në shpirtin tim të pasur dhe trupin e hollë, në përmbushjen e projektit shumëdimensional të jetës. Prandaj prirja ime ishte për të diversifikuar përvojën time arsimore në Amerikë dhe Britani, fushat e kërkimit tim në terren, midis banesave të shkretëtirës dhe punës me gratë në vendet më të largëta, puna akademike në Universitetin e Mbretit Saud, Kolegjin e Arteve, Departamentin e Studimeve Sociale dhe vizitat e punës akademike në universitete jashtë vendit. Nuk mund të harroj rolin që luajti mbështetja prindërore dhe roli i nënës, babait dhe institucioneve të shtetit, por pa lënë mënjanë motivimin e fëmijëve të mi në lehtësimin e zgjedhjeve të tilla.

Si e përshkruani marrëdhënien tuaj me letërsinë shqipe?

Më duhet të pranoj se prezantimi i parë mes meje dhe një simboli të letërsisë moderne shqiptare ishte intervista e gazetës Saudit Okaz me poetin shqiptar Besnik Mustafaj, gjë e cila më hapi një dritare për të mësuar dhe ëndërruar për njohuri të mëtejshme të një nga përvojat më të pasura të letërsisë që i rezistojnë të gjitha përpjekjeve politike dhe regjimeve totalitare për të fshirë identitetin kombëtar e kulturor dhe për ta zëvendësuar atë me identitete xhelatinoze që paragjykojnë veçoritë historike, gjeografike dhe kulturore të popujve të botës.

A keni në mendje që poezitë tuaja t’i ofrohen lexuesit shqiptar?

Nuk ka njeri që mbart një stilolaps dhe një zemër të ndjeshme për të shprehur veçoritë kulturore të vendit të vet, me pasionin personal për letërsinë në atë që shkruan, që të mos e ëndërrojë jetën më shumë se një herë duke transferuar përvojën e tij krijuese në shoqëri të tjera dhe të reja, për të zgjeruar horizontin e përvojës me synimin e shkëmbimit të përvojave te popuj e tjerë.

KUSH JAM

Unë jam fëmijë që luan pa reshtur
jam mal i kurorëzuar nga yjet
jam re e lodhur nga vetmia në qiell
jam flatër me pamje foshnjeje që s’mund të ecë
jam erë në duart e dashurisë
jam gjemb në bel
jam valë që përplaset në breg
jam fjalë, dinjitet dhe bujari
jam libër dhe asgjë tjetër
jam kothere buke skamnorësh
jam poemë e pagjetur nga asnjë
poet jam…
jam univers dhe galaktikë që mezi më nxë
jam atdhe i të gjithëve.

DHIMBJA

Zoti të bekoftë o dhimbje
me mëndafshin e shëndetit.
O dhimbje
a s’më le pak të qetë në dritën e diellit
mbase rrufis sadopak nga gazi i djeshëm?
Kaluam një natë të këndshme
ku s’lash këngë ciganësh pa kënduar
s’mbeti yll pa ardhur me gjithë vezullimin e vet
s’mbeti qiell pa u përshkuar nga shpirti im
s’mbeti hekur në shtrat pa u shkrirë nga nxehtësia jonë
s’mbeti tokë pa u shkelur nga këmbët e mia
s’lashë vaj pa e ndezur për ty
s’mbeti terr e errësirë pa më strehuar
s’mbeti yshtje e magji pa e përdorur për ty
s’mbeti pikë loti e psherëtimë pa u zbuluar
s’lashë hir, durim e pritshmëri që se përdora për ty
s’le teh, shigjetë e gjemb që nuk e mbolle
në mishin e kockat e mia
s’lashë lutje, shpresë e pendë që nuk e përdora
për tu arratisur prej teje
O dhimbje
ma trete mendimin
mi ngurtësove ndjenjat
ma ripërtërive bojën
O dhimbje
ua shtove syve të mi shkëlqimin,
flokëve gjatësinë dhe fytyrës hijeshinë
Ti ia shtove rininë moshës time
ia shtove freskinë pamjes time
e mua më fale më shumë autoritet
O dhimbje
të kurorëzoj si engjëllin,
mbretin dhe frymëzimin tim
Të lutem, të lutem, të lutem
le të mbajmë një distancë
ku unë çlirohem prej teje
dhe ti rifiton lirinë prej meje.

OKAZ: Një nga tregjet e Gadishullit Arabik, të cilin e përfaqëson Mbretëria e Arabisë Saudite në pjesën më të madhe. Daton në vitin 501 pas Krishtit, ku arabët dikur shisnin mallra të ndryshme, por edhe organizonin konkurs të përvitshëm të poezisë, një nga konkurset më të famshme, që i dha tregut famën e tij në kulturën arabe. Tregu ndodhet specifikisht në qytetin e Taifit në Mbretërinë e Arabisë Saudite, aty ku autoritetet lokale e rihapën tregun dhe rifilluan konkurset e poezisë, pasi ishte ndalur për 1300 vjet.

MU’ALLAKAT: Është një përmbledhje me poezi arabe të shkruara nga poetë të Gadishullit Arabik dhe konsiderohet si një nga poezitë më të famshme të shkruara nga arabët. Këto poezi quheshin Mu’allaqat, sepse ato ishin të shkruara me fije ari dhe vareshin në muret Qabes para ardhjes së Islamit. Konsiderohet si simbol dhe model i poezisë klasike arabe për nga struktura dhe tematika e saj.

RAJONI ASIR: Një rajon administrativ në jug të Mbretërisë. Malet Sarawat, të cilat arrijnë një lartësi prej 3000 metrash mbi nivelin e detit, përbëjnë terrenin e tij më të rëndësishëm. Ai është i banuar nga një komunitet rural që varet nga bujqësia dhe kullotja për shkak të bimësisë dhe pyjeve. Gratë kanë qenë një faktor i rëndësishëm prodhimi gjatë historisë së rajonit.

SHKARKO APP