Lindjet bien me 17 për qind. INSTAT: Niveli më i ulët historik në dekada

Numri i lindjeve ka rënë ndjeshëm në tremujorin e parë të vitit 2023, duke arritur në nivelet më të ulëta historike në shumë dekada.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave për tre mujorin e parë të këtij viti, rënia e lindjeve ka qenë aq e fortë sa shtesa natyrore ishte negative, pra në vend kishte më shumë vdekje se sa lindje.

INSTAT bëri me dije se në tremujorin e parë 2023 lindjet ishin 5.164, Duke shënuar një rënie me 16,9%, krahasuar me tremujorin e parë 2022. Sipas të dhënave historike të INSTAT, ky është numri më i ulët i lindjeve i regjistruar ndonjëherë në një tremujor, të paktën që pas viteve ‘90.

Nga mesatarisht 8-10 mijë lindje në tremujor që kishte në vitin 2011, në vitin 2022 për herë të parë treguesi ra nën 6 mijë lindje në 2022, duke u reduktuar më tej afër 5 mijë në muajt e parë të këtij viti.

Grafiku

Megjithëse numri i vdekjeve ka rënë ndjeshëm pas pandemisë në vend shtesa natyrore e popullsisë, në tremujorin e parë 2023 regjistron 393 vdekje më shumë se sa lindje, raportoi INSTAT.

Instat thekson se në tremujorin e parë 2023, të gjitha qarqet e vendit shënojnë ulje të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e parë 2022.

Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 1.939 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 77 lindje.

Rënien më të ulët në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të parë 2023, krahasuar me tremujorin e parë 2022 e ka qarku i Kukësit me 8,9%, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Lezhës me 33,2%.

SHKARKO APP