Liria e vrasësit të turistëve, KLD shpërfilli ankesat e familjes së djalit të vrarë
Ministria e Drejtësisë njoftoi dje se ka nisur inspektimet në gjykatat e Shkodrës, jo zyrtarisht mësohet se institucionet e drejtësisë në vend kanë pasur dijeni për vendimet e shpallura ndaj Sokol Mjacajt, në lidhje me gjykimin e tij të mëparshëm për vrasjen e 13-vjeçarit, Agim Lera.
Mësohet se prindërit e fëmijës së vrarë janë ankuar përmes një letre pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, menjëherë pasi Gjykata e Apelit Shkodër u tregua tolerante ndaj 3 të akuzuarve për vrasjen e fëmijës, ku edhe u ndryshua kualifikimi për Sokol Mjacajn, nga “për vrasje në rrethana cilësuese”, në “moskallëzim krimi”.
Të njëjtën letër, prindërit e fëmijës së vrarë, në vitin 2013 ia kanë dërguar edhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Por përpjekjet e tyre për të marrë drejtësi nuk janë përfillur as nga Gjykata e Lartë, e cila ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Shkodrës.
Për vrasjen e 13-vjeçarit, Sokol Mjacaj është gjykuar si i mitur, për shkak se në atë kohë ishte 15 vjeç. Ai dëshmoi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Shkodrës se, krimin ia kishin rrëfyer dy shokët e tij, të cilët e masakruan fëmijën për një varëse floriri.
Gjykata e Shkodrës e konsideroi edhe Mjacajn fajtor dhe bashkëpunëtor në krim, madje – në vlerësimin e gjykatës – ishte Mjacaj, ai që e kishte çuar të miturin në vendin ku do të vritej. Për këtë arsye, për shkak të parashikimeve që mban ligji për të miturit, atij iu dhanë 10 vite burgim.
Gjykata e Apelit Shkodër, ajo që përmbysi vendimin e Shkallës së Parë, duke e dënuar Mjacajn vetëm me një vit e 6 muaj heqje lirie, por kësaj radhe jo për vrasje, por për moskallëzim krimi. Ky vendim, më pas u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë, e cila i hapi “dritën jeshile” Sokol Mjacajt për t’iu drejtuar lirisë.
KOHA JONË SONDAZH

