Lirimi i 570 të dënuarve/Ismailaj-Çelës: Verifikoni mirë listën

Një listë me 570 emra të personave të dënuar për vepra të ndryshme penale dhe që vijojnë të mbahen të izoluar në burgje, është përpiluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe çuar në adresë të Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela. Akti Normativ i firmosur tre ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, ka për qëllim të marrë masa të përkohshme për të parandaluar përhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale si dhe mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë në sistem, nëpërmjet garantimit të kushteve për mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të të dënuarve.

Më tej në dokumentin e Agim Ismailit thuhet se:”…në këtë kuadër kemi listuar të burgosurit që përmbushin kriteret për përfitimin e lejes së veçantë dhe nuk kanë kritere ndaluese për qëndrimin për qëndrim të përkohshëm në shtëpi, listë të cilën jua përcjellim edhe në CD, duke kërkuar bashkëpunimin tuaj për të na informuar për ata të dënuar që janë në hetim ose është dënuar për një vepër tjetër penale gjatë qëndrimit në ambjentet e burgut…”. Pak më poshtë kësaj shkrese nënvizohet se:”…afatet ligjore për vendimarrjen për miratimin e lejeve të qëndrimit në shtëpi, sipas këtij akti normativ janë shumë të ngutshme, vetëm 5 ditë nga kërkesa e të dënuarit, sipas qëllimit këtij akti, për rrjedhojë jeni të lutur për një përgjigje sa më të shpejtë…”. “Duke qenë se koha që kërkohet është e shkurtër, përgjigjet duhen dhënë në rrugë elektronike drejtpërdrejtë tek Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe për dijeni Prokurorisë së Përgjithshme, pasi në këtë situatë mënyra më e preferuar dhe e shpejtë e komunikimit, është nëpërmjet rrugës elektronike”.

SHKARKO APP