Lirimi i Berishës entuziazmoi Ramën
Nga Daniel Muçaku-
Lirimi i ish-kryeministrit Berisha nga një gjyqtare e shkallës së parë të GJKKO, ishte e papritur për SPAK-un. Ndonëse institucioni i Prokurorisë së Posaçme njoftoi se do ta apelojë sapo të zbardhet vendimi i gjyqtares, pavarësisht që po hetohet në forma të kujdesshme se si u mor vendimi nga kjo gjyqtare, përsëri duket se do të jetë e vështirë edhe për Apelin ta rikthejë në arrest shtëpie, pasi po fillon fushata zyrtare elektorale e duken pak gjasa që Berisha të mbyllet prapë brenda.
Në të vertetë sipas ligjit asnjeri nuk quhet i fajshëm pa një vendim të formës së prerë. Këtë e shkruan edhe vetë SPAK, pas çdo njoftimi kur bën arrestime.
Edhe lideri opozitar ka gjithë të drejtën e Zotit të thotë ç’të dojë tani, sepse “zinxhirët” ia hoqi një gjyqtare.
Ndërkohë koridoreve të politikës dhe analistët kanë filluar të thonë se kjo ishte lëvizje fine e Edi Ramës, pasi i dha siglën e PD, duke ia hequr Lulzim Bashës e tani edhe e liroi nga arresti.
Edi Rama, sipas analistëve, e do të lirë Sali Berishën që kur të fitojë përsëri zgjedhjet në maj 2025, të mos ketë të drejtë Berisha të deklarojë se mi “vodhi zgjedhjet se isha në arrest”.
Në të vertetë lirimi i Berishës duket se ka gëzuar me shumë Edi Ramën.
E ka përballë në mitingje e kudo dhe nëse Rama akuzohet se kërkon mandatin e katërt, por edhe Berisha mandatin e katërt synon; ka qenë ish-president Republike 1992-1997 dhe ishte i plotfuqishëm, ishte kryeministër 2005-2013.
Festa në PD është e ligjshme sepse Berisha mbetet lideri shpirtëror i shumicës së demokratëve, por është e pamjaftueshme për të fituar.
Sado është mbushur me ujë anija e Ramës, prapë nuk zhytet sa varka e Saliut.
Opozita ka vetëm një shans: të kandidojë një emër të pa akuzuar dhe me staturë të fortë politike apo civile, dhe jo vetë Berisha.
Nëse Berisha insiston nën entuziazmin e heqjes së masës së arrestit, se do të jetë kandidat për kryeministër dhe që gjoja “po vjen frymë trampiane” pro tij, e ka gabim.
Sido të jetë lirimi i Berishës i jep frymëmarrje PD-së.