Lisa del Giocondo, fisnikja që koha e ktheu në misterin më magjepsës të artit botëror, e njohur si Mona Lisa

Nga Albert Vataj

Ajo ishte një grua e gjallë, me frymë të butë dhe me një brendësi që s’e përshkruan dot fjala. Një fisnike italiane nga familja e njohur Gherardini e Firencës, e lindur më 15 qershor 1479 dhe e ndarë nga jeta më 15 korrik 1542. Por historia do ta njihte me një emër të dytë, një emër që nuk i përket më një njeriu, por një misteri të pambarim: Mona Lisa.
Lisa del Giocondo ishte bashkëshortja e një tregtari të mëndafshit, Francesco del Giocondo, një burrë më i madh në moshë, të cilit ajo i solli në jetë pesë fëmijë. Jeta e saj në Firence ishte ajo e një zonje të respektuar, e zhytur në ritmet e një familjeje të mirëqenë, pa drama të mëdha e pa mungesa, një jetë që s’e priste asnjë tragjedi e asnjë lajmërim hyjnor. Por në përkuljen e kohës, buzëqeshja e saj do të merrte peshën e një universi të tërë.


Leonardo da Vinci, mjeshtri i papërsëritshëm i Rilindjes, do të fiksonte në kanavacën e tij jo vetëm fytyrën e saj, por një çast të kapur mes shpresës dhe dyshimit, mes gjallërisë dhe një melankolie që të mbërthen. Ajo buzëqeshje e fshehtë, e eterike, do të shndërrohej në sfidë për shekuj me radhë. Historiani i artit Ernst Gombrich do ta quante “enigmën më të madhe të pikturës perëndimore”, ndërsa Walter Pater do të shkruante se Mona Lisa është një “personifikim i përvojës njerëzore, që na vështron me atë buzëqeshje të ditur që ka parë gjithçka dhe prapë hesht.”
Shekujt kaluan dhe fytyra e saj, e fiksuar në atë portret të përjetshëm, filloi të jetojë një jetë tjetër, jo më të një gruaje, por të një miti. Ajo nuk ishte më vetëm Lisa del Giocondo; ajo ishte bërë simboli i gjithë Rilindjes, një ikonë që tejkalon kohën, një logo e pavdekësisë së artit. Në të njëjtën kohë, misteri që e rrethon, çfarë fshihet pas atyre syve që ndjekin çdo shikues? çfarë thotë ajo buzëqeshje e lehtë që shfaqet dhe zhduket? Ushqeu teoritë më të guximshme dhe më të çuditshme, nga Freud-i që e pa si shfaqje të nënës së humbur, te kritikët modernë që e lexojnë si një alegori të fshehtë të feminitetit universal.
Piktura, e ruajtur në Luvër, u bë në shekuj një objekt pelegrinazhi, një altar ku njerëzimi mblodhi kureshtjen dhe adhurimin e tij. Që nga vjedhja famëkeqe e vitit 1911 e deri te riprodhimet e pafundme në kartolina, t-shirt, meme e reklama, Mona Lisa është bërë jo vetëm arti më i famshëm në botë, por edhe një pasqyrë ku bota sheh vetveten.
Vetëm në vitin 2005, pas kërkimeve të gjata në arkivat e Firences dhe zbardhjes së “Codex” të Agostino Vespucci-t, u konfirmua përfundimisht se modeli i Leonardo-s ishte vërtet Lisa del Giocondo. Një grua e thjeshtë, e një qyteti të artit, e një kohe që s’e dinte se po bënte histori.
Dhe ja ku jemi sot: përpara asaj buzëqeshjeje që na ka shoqëruar pesë shekuj, që mbetet një çelës pa bravë, një rreze që depërton përtej kuptimit. Mona Lisa nuk është vetëm Lisa, ajo është misteri i artit, i jetës dhe i vetë kohës që s’mund ta mbajë dot brenda një emër.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?