LISTA/ Basha fut aleatët në vende të sigurta! Surpriza, Elbasani, asnjë kandidat i 2017-ës nuk merr pjesë në 25 prill

Lulzim Basha në bazë marrëveshjes, i ka futur disa nga aleatët në vende të sigurta. Në qarkun e Tiranës, kreu i partisë Republikane Fatmir Mediu është vendosur në vendin e shtatë në listë, Shpëtim Idrizi i PDIU i nënti, Dashamir Shehi në vendin e 11-të dhe Mesila Doda e 12-ta. Ndryshe është çështja te Nard Ndoka që është vendosur në Shkodër në vendin e tetë, jo i sigurt.

Kandidatët

Surpriza e kësaj liste është Elbasani, pasi nuk është asnjë kandidat i zgjedhjeve të vitit 2017, ku në garën e 25 prillit mungojnë emrat si ai Endri Hasës, apo edhe i Luçiano Boçit. Në lista do të jenë dhe emrat e drejtuesve politikë të PD-së në 12 qarqe, që janë dhe të parët sipas qarqeve, ndryshe nga Rama i cili vendosi që drejtuesit të jenë në vijën e kuqe të listave. Qarku i Kukësit do të kryesohet nga Flamur Hoxha, ndërsa ai i Gjirokastrës nga Tritan Shehu. Ndërkohë që janë konfirmuar në listën kryesuese të PD për Tiranën 8 drejtuesit politikë. Ndër propozimet që janë miratuar dje në mbledhjen e Kryesisë janë dhe emrat e Flamur Hoxhës dhe Isuf Çelës në qarkun e Kukësit. Një tjetër vendim brenda PD-së, kishte të bënte me ish-deputetin Xhemal Gjunkshi, i cili është vendosur në postin e koordinatorit për sigurinë.

Teksa në selinë e Partisë Demokratike vijon puna për përzgjedhjen finale të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, mësohet edhe emri i koordinatorit kombëtar për komunikimin social dhe politik. Bëhet fjalë për analistin dhe pedagogun Fitim Zekthi.

Në listën e Partisë Demokratike rezulton se ish-kryeministri Sali Berisha do të kandidojë në Tiranë, së bashku me pasardhësin e tij Lulzim Basha. Kryedemokrati duket se ka vendosur të ri-afrojë edhe ish-deputetët që nuk morën pjesë në zgjedhjet e 2017-ës si Dashamir Sula dhe Mimoza Hajdarmataj. Ndërkohë, bie në sy moskandimi i kreut të PD-së në Vlorë Genc Deromemaj, i cili është zëvendësuar nga i rikthyeri tjetër në PD, Bujar Leskaj. Edhe në Durrës kemi një tjetër rikthim, ai i ish-deputetit dhe ish-ministrit Ferdinand Xhaferraj. Ndërkaq, disa nga emrat e rinj, të ardhur si propozime nga baza, pra procesi i përzgjedhjes së kandidaturave në PD apo dhe nga drejtuesit politikë të qarqeve ishin ajo e shkrimtares, poetes dhe botueses Flutura Açka në Elbasan. Po ashtu ishte dhe kandidimi i Agron Gjekmarkajt në Lezhë. Gjekmarkaj është një figurë mjaft aktive në mediat shqiptare, si analist, publicist, por gjithashtu edhe në profesionin e tij si pedagog i Gjuhë-Letërsisë dhe zv.dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Risi ishte kandidimi i Ina Zhupës në Vlorë. Ina Zhupa prej vitesh tashmë mban postin e zëdhënëses së Partisë Demokratike dhe jo pak herë ka denoncuar kundër qeverisë apo Bashkisë së Tiranës. Dhe sa i përket zëdhënësve të selisë blu ndër vite, ra në sy rikthimi i moderatores Oriela Nebiaj në Partinë Demokratike për të kandiduar për deputete në zgjedhjet e 25 Prillit. Nebiaj renditet e 18 në listën e Tiranës ndërmjet Ivi Kasos dhe Gent Strazimirit. Nebiaj ka qenë më herët zëdhënëse e Partisë Demokratike dhe kandidate për drejtimin e FRPD-së përballë Belind Këlliçit, një betejë qe u fitua nga ky i fundit. Më pas ajo u shkëput nga politika duke iu dedikuar ekranit si moderatorë në disa emisione televizive. Ditën e sotme ajo u shfaq krah kryedemokratit Lulzim Basha gjatë takimit që ky i fundit zhvilloi me gratë dhe vajzat e Partisë Demokratike në ditën ndërkombëtare të gruas. /Herion Mesi

SHKARKO APP