“Listat e hapura krijojnë probleme në administrim”, zbardhen diskutimet brenda Këshillit Politik

Teksa ka kaluar pothuajse një orë nga mbledhja e Këshillit Politik, ku i pranishëm për herë të parë është dhe kryeministri Edi Rama, mësohet se çfarë ka deklaruar deputeti socialist Damian Gjiknuri në takimin që po zhvillohet me dyer të mbyllura.

Gjatë fjalës së tij, në cilësinë edhe të bashkëkryetarit të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri bëri një prezantim të asaj se çfarë ka bërë Kuvendi dhe theksoi faktin që listat e hapura kanë krijuar një mbështetje të gjerë popullore, ndërkohë që ka shtuar se hapja e listave do të krijojë vështirësi në procesin e administrimit të zgjedhjeve.

“Njerëzit natyrisht nuk kane pse mendojnë për efektet që krijojnë vështirësi në administrim por thjesht duan që të avancojë e drejta e tyre për të zgjedhur deputetët dhe për të pasur një lidhje më të drejtpërdrejtë.

I qëndroj asaj ç’ka kam thënë se hapja e listave me skemën aktuale zgjedhore krijon probleme të mëdha administrimi. Gjithsesi ne jemi këtu dhe shpresoj të gjejmë një zgjidhje për të rregulluar aspektin teknik që do të mundësonte një menaxhim te sigurte te procesit te hapjes se listave.

Ne nuk jemi kundër koalicioneve, kjo është spekuluar qëllimisht. Ne jemi për t’i garantuar të drejtën çdokujt të bëhet pjesë e një grupimi partish, por sipas një rregulli që e mundëson teknikisht zbatimin e hapjes së listave”, mësohet të jetë shprehur socialisti Damian Gjiknuri.

Po ashtu, mësohet se Gjiknuri ka thënë në mbledhje se kryedemokrati Lulzim Basha dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë qenë publikisht hapur “Pro” hapjes së listave.

“Basha dhe LSI-ja kanë qenë publikisht hapur “Pro” hapjes së listave, kështu që shpresoj se së bashku do arrijmë t’i japim një zgjidhje, duke u thënë shqiptarëve që morëm vendimin për t’u zgjeruar mundësinë për të zgjedhur nominalisht deputetët përmes listave të hapura”, mësohet të ketë thënë Damian Gjiknuri.

Foto nga mbledhja e sotme në Pallatin e Kongreseve

SHKARKO APP