Listat e PS me të dhënat, Pëllumbi: Patronazhisti është person i strukturave tona
Arben Pëllumbi, Sekretar Organizativ i Partisë Socialiste, ka shpjeguar gjatë një lidhjeje në emisionin “Opinion”, mënyrën se si funksionojnë censuset e organizuara nga kjo forcë politike, për të kuptuar trendin e votuesve në zgjedhje.
Nisur nga publikimet në media, të një liste që përmban emrat, numrat ID dhe numrat e telefonit të gjithë qytetarëve të Tiranës, Pëllumbi ka thënë se atë listë nuk e ka parë kurrë dhe se lista e socialistëve, nuk përmban të dhëna private.
“Në përgjithësi përpara çdo fushate elektorale, të gjitha strukturat me listën e zgjedhësve që publikohet paraprakisht, dalin në terren dhe punojnë duke identifikuar derë me derë votuesit, duke trokitur derë më derë me pyetje që lënë të kuptojnë përkatësinë politike. Ata që dalin janë të rinj të strukturave që duke trokitur derë në derë sjellin një lloj censusi. Nuk e di çfarë është kjo pamje, por gjithsesi nuk bëhet fjaëlë për ID, por për përcaktime të preferencave të votuesve”, tha Pëllumbi.
Duke shpjeguar mënyrën se si funksionojnë këto censuse, Pëllumbi shpjegoi gjithashtu edhe rolin e patronazhistit.
“Patonazhist është person i strukturave tona që merr përsipër duke trokitur derë më derë për të marr informacione. Ai është patronazhist i votave socialiste. Bëhet një census dhe identifikohen të gjithë qytetarët që na përgjigjen.
Në përgjithësi janë të dhëna të grumbulluara që nga viti 2005 në PS. Nuk janë të dhëna të sigurta”, u shpreh ai.