Listat, Kim: Ka emra për t’u shqetësuar, PD ishte e qartë me Doshin, dëshiroj të shoh edhe PS
Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim u shpreh në një intervistë ekskluzive për ABC se në listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 prilli ka emra për t’u shqetësuar.
“Mendoj që ka emra për t’u shqetësuar. Por në përgjithësi më lejoni të them këtë gjë. Mendoj që pjesa më e madhe e partive kanë bërë përmirësim në cilësinë e listave të tyre. Disa nga emrat e dukshëm nuk janë përfshirë në to.
Por në të njëjtën kohë është edhe e qartë që mund të kishin bërë më mirë. Dhe sikundërse e them: tashmë është një proces që është i lidhur me punën e KQZ-së, Prokurorët duhet të bëjnë punën e tyre. Por në fund të ditës janë votuesit shqiptarë të cilët duhet ta marrin vendimin se kush do t’i përfaqësojë ata. Se kush ja vlen që të ulet në Kuvend” tha ajo.
E ndërsa vlerësoi kërkesën e PD-së drejtuar KQZ për largimin nga lista të Tom Doshit, të njëjtën gjë, Kim dëshiron edhe nga PS.
“Ju më bëtë pyetje mbi personin të cilit i është bërë përcaktimi. Dua të them që është një gjë shumë e mirë që Partia Demokratike ka qenë e qartë në dënimin e këtij personi duke kërkuar që ky person të largohet nga lista e kandidatëve për deputetë.
Dëshiroj të shoh që edhe Partia Socialiste apo të tjerët të jenë po kaq të qartë. Kam krijuar pak konfuzion por mendoj që është koha e duhur për të qartësuar cdo konfuzion dhe për të qenë absolutisht të qartë se ku qëndrojmë të gjithë” theksoi Kim.
Ambasadorja Amerikane Yuri Kim në një intervistë për ABC ka komentuar çështjen e shumëpërfolur të blerjes së votës në vendin tonë.
Kim në intevistën e saj për gazetaren Esiona Konomi është shprehur se qytetarët shqiptarë duhet të dinë vlerën e votës dhe të mendojnë të ardhmen e fëmijëve para Iphoni që mund të marrin në një moment.
“Dhe votuesit shqiptarë duhet të marrin vendimin këtu dhe duhet ta bëjnë të qartë pozicionimin e tyre. Ajo që dëgjoj këtu është blerja e votave dhe mendoj që votuesit shqiptarë duhet të vendosin. A është krenaria ime, dinjiteti im, e ardhmja e fëmijëve të mi? A ja vlen që të marr një celular IPHONE ta përdor, a ja vlen për 100 euro? A ja vlen kjo gjë për ofendimin që dikush mund të të thotë se mund të të blejë votën tënde? Mund të blejë jetën tënde?
Nuk mendoj që është kështu. Dhe arsyeja pse kam ardhur në Shkodër, është sepse ky vend ka një histori shumë të vecantë. Është një vend i njerëzve të fortë. Me një ndjesi të fortë krenarie. Dhe mendoj që kur njerëzit mbajnë mend se kush janë, ata kanë për të bërë gjënë e duhur në zgjedhje”, ka thënë Kim.