Llatja në takim me banorët e Shirgjan: Na presin 4 vite pune dhe investime të mëdha

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i shoqëruar nga drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri si dhe deputetja Desantila Tahiraj kanë qenë në një takim me banorët e njësisë administrative Shirgjan për të folur rreth punës 4 vjeçare si kryetar bashkie, investimet e kryera gjatë kësaj periudhe në këtë zonë si dhe synimet për mandatin e ardhshëm.

Sipas kreut të bashkisë qëllimi parësor mbetet vijimi i punëve të mira të nisura në të gjithë cepat e bashkisë Elbasan, në fshat apo qytet. Për të investimet janë në rrugë të mbarë për të zgjidhur problematikat 30-vjeçare në fshat dhe në qytet,ndërsa nënvizoi se opozita kujtohet vetëm për zgjedhje, duke mos e ngritur zërin në gjithë këto vite.

“Faleminderit të gjithëve që jeni këtu, kur flasim për zonën e Shirgjanit, Gjergjanit, kemi çfarë themi. Një sërë investimesh janë bërë në ujësjellës, shtimin e sipërfaqeve të ndriçuara, menaxhimin e të gjithë problematikave që kemi pasur edhe nga njësia administrative dhe nga bashkia qendrore. Ne kemi dhënë një premtim atëherë që do bëjmë maksimumin dhe pavarësisht se nuk kishim një kundërshtar në 2019-ën pasi ata e lanë si lanë gjithçka tjetër në mes të rrugës lanë edhe zgjedhjet e 2019-ës. Ashtu siç i lanë njerëzit vitet e shkuara dhe nuk u kujtuan për asnjë gjë, kujtohen tani pak para zgjedhjeve të përmendin rrugë etj.

Ne nuk kemi ndaluar asnjëherë së punuari për të gjetur zgjidhjet problematikave të infrastrukturës apo gjithë zhvillimit të bashkisë së Elbasanit. Kemi shtuar sipërfaqet e kanaleve kulluese, kemi marr masat të mos kemi më problematika me përmbytje ashtu siç kemi bërë një sërë investimesh në rrjetat lumore, ashtu siç kemi bërë një sërë investimesh në infrastrukturën rrugore si dhe nëpër fshatra për të sistemuar dhe zgjidhur problemet që neve kemi. Ne jemi ata që bëjmë punët në Elbasan.

Ne punojmë për njerëzit, nuk punojmë as për llafe as për portale, punojmë vetëm për qytetarët, për banorët e Elbasanit. Jemi këtu për të përmirësuar cilësinë e jetesës së tyre. Kemi bërë një ndarje të drejt nëpërmjet fshatit dhe qytetit ku gjysma e investimeve shkon në fshat dhe gjysma tjetër në qytet. Do vazhdojmë edhe këtë 4 vjeçar me investime në të gjitha fshatrat e Elbasanit. Do vazhdojmë me by-passin e Elbasanit, me zhvillimin turistik, po vazhdojmë me mbështetjen për bizneset. Ne jemi gjatë gjithë kohës për punën. Jemi gjithmonë në kërkim të problematikave që ti realizojmë me punë dhe për këtë kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve. Na presin 4 vite pune dhe për 4 vitet e ardhshme do të na duhet bashkëpunimi juaj”, tha kryebashkiaku i Elbasanit.

SHKARKO APP