Llatja: Tregani, me llixhat dhe investimet në infrastrukturë, po shndërrohet në një destinacion kyç turistik

Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje vijoi në njësinë administrative Tregan, ku gjatë dëgjesës publike ka marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja. Një nga investimet më të mëdha që Bashkia ka realizuar në këtë njësi është ndërtimi i shkollës 9-vjeçare “Jonuz Çarçiu”, projekt i cili u zbatua nën kujdesin e veçantë të kryetarit.

Gjatë fjalës së tij, z. Llatja kujtoi një sërë takimesh të realizuara me banorët e Treganit për të ndjekur problematikat, zhvillimet dhe shqetësimet e banorëve, sidomos gjatë sezonit turistik. “Keni kërkuar organizimin e një feste për promovimin e turizmit, dhe ne e realizuam këtë. Gjithashtu kemi ngritur edhe një agjenci për promovimin e turizmit, të cilën tashmë po e kalojmë në një fazë më të avancuar, duke krijuar një guidë më të madhe turistike për vizitorët që vijnë në llixha, në Tregan, dhe në të gjitha atraksionet e Elbasanit,” theksoi ai.

Kreu i Bashkisë u ndal edhe tek problematika e shkollës në Tregan, një çështje e rëndësishme për komunitetin. “Sot jemi në një moment ku shkolla ka nisur ndërtimin dhe po punojmë për përmirësimin e rrugës që të çon drejt saj. Gjithashtu, jemi në proces përfundimi për rrugën e Bajramasve dhe për sistemimin dhe asfaltimin e disa rrugëve të tjera,” tha z. Llatja, duke nënvizuar se këto projekte janë pjesë e planifikimit të buxhetit për vitin 2025.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve të ardhshme, si ndriçimi i zonave me prani të madhe turistësh dhe shtrimi i asfaltit në fshatrat kryesore, duke përmendur specifikisht projektin për rrugën e Kodër Bujarasit që do të lidhë pjesën poshtë me fshatrat përreth.

“Njësia administrative Tregan ka qenë shumë aktive në zgjidhjen e problematikave dhe ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt të vazhdueshëm me banorët për t’u marrë me hallet e tyre,” përfundoi kryetari i Bashkisë.

SHKARKO APP