Lleshaj: Do të kontrollojmë minierat, pasoja për mjedisin
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj bëri me dije se strukturat e shtetit do të fokusohen tek minierat për shfrytëzimin që sipas tyre bëjnë jashtë kritereve. Ai tha se kjo pasuri kombëtare, pra minierat, nuk mund të shfrytëzohet në mënyrë anti-ligjore dhe nuk mund ti shkaktojë pasojat në mjedis duke hedhur dherat apo gurët e papërdorshëm aty ku nuk lejohet.
“Kemi dhjetëra subjekte që shfrytëzojnë minerale jashtë kritereve. Është pasuri kombëtare që nuk mund të shfrytëzohet në mënyrë anti-ligjore dhe nuk mund ti shkaktojë pasojat në mjedis. Shumë prej tyre që shfrytëzojnë me apo pa ligj këto pasuri nuk kujdes dhe në fakt shkarkojnë në kurriz të mjedisit, pasojat e veprimtarisë së tyre të pa rregullat, që nuk e kursejnë dorën, makinën për të hedhur ato dherat apo gurët e papërdorshëm ku të kenë rastin e parë dhe kjo nuk mund të lejohet”.
Vëmendje të veçantë, Lleshaj kërkoi për lumenjtë. ”Në Lindjen e Mesme bëhet luftë për ujin, e masin me gram, ne e kemi, ikën në det pa e marrë vesh, është e rëndësishme që ti mbrojmë ujërat, do të fillojmë një përpjekje për të mos i hedhur në lumë ato që na teprojnë. E hedhim në lumë, por na kthehet mbrapsht në tryezë, në ujin e pijshëm, perime, apo e gjejmë atje në plazh”.