Lleshaj: Është përgjysmuar numri i vrasjeve që nga 2013
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj zhvilloi një vizitë në qarkun Fier ku prezantoi strukturat e reja të shtuara në këtë drejtori vendore, si dhe bëri një paraqitje sintetike të shifrave të rendit. Ai u shpreh gjithashtu për investimet e rëndësishme që janë bërë vitet e fundit për përmirësimin e burimeve njerëzore dhe infrastrukturës e mjeteve në dispozicion të Policisë së Shtetit. Nga ana tjetër, Lleshaj u shpreh se gjatë këtyre viteve është rritur me 17 % numri i punonjësve të organikën e policisë.
”Për sigurinë dua të investojmë më shumë. Siguria ka një ҫmim, të cilin ne jemi të ndërgjegjshëm dhe të gatshëm për ta paguar. Për arsye se i gjithë ky ҫmim shkon në dobi të qytetarëve. Siguria është ndër nevojat themelore, bazike të njeriut, dhe vetëm kur plotësohen nevojat e sigurisë, njeriut i lindin nevojat e katit të tretë që janë nevojat e përkatësisë, nevojat sociale, nevojat për t’u organizuar, për t’u shoqëruar, për t’u anëtarësuar, për të krijuar familje e të tjera me radhë”.
Për më tepër, Lleshaj theksoi se 75 % e qytetarëve të këtij vendi shprehen se ndihen të sigurtë, edhe kur janë natën në rrugët e qytetit apo të fshatit të tyre. Në fund ai ka uruar vajzat dhe djemtë e rinj, që i janë bashkuar policisë në kuadër të kësaj strukture të posaҫme.
”Besoj që edhe në emër të të gjithë të pranishmëve kam të drejtë t’ju them edhe mirë se keni ardhur në Fier dhe besoj që do ta gjeni në Fier atë kënaqësinë profesionale të punës tuaj. Dua t’ju them që forca juaj nuk janë vetëm krahët, nuk janë vetëm muskujt. Forca juaj është inteligjenca juaj, forca juaj është marrëdhënia me qytetarët, forca juaj është ligji. Ndërsa dobësia juaj mund të jetë prishja e marrëdhënieve me qytetarët dhe shpërfillja e ligjit. Prandaj duhet që ta keni shumë të qartë që jeni në një vëzhgim të fortë. Keni një besim të madh mbi veten tuaj, një përgjegjësi të madhe mbi supet tuaja. Dhe ne kemi besim të plotë që ju do të jeni në lartësinë e këtij besimi”.