Ministri Brendshëm krah Ballës në Elbasan, i përgjigjet indirekt: Nuk dorëhiqem, eci përpara, kam një mision për të kryer
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka folur nga Elbasani për zërat për largimin e tij nga qeveria si dhe deklaratat e djeshme për policinë e Shtetit pas disa ngjarjeve kriminale. I shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, Lleshaj tha se policia e ka kryer detyrën me sukses.
Ndërkohë në PS u përfol se Taulant Balla do të zinte vendin e ministrit Sander Lleshi.
“Jo s’kam thënë që ka dështuar policia. Mundohuni të kuptoni drejt. Policia jo vetëm që s’ka dështuar, por po kryen detyrën me profesionalizëm dhe sukses në gjithë vendin. Sigurisht kjo nuk do të thotë që ngjarje nuk mund të ndodhin se ndryshe nuk do kishim as polici”, tha Lleshaj.
I pyetur për deklaratat për largimin apo qëndrimin e tij, ai tha se kanë qenë përgjigje të pyetjeve dhe se nuk dorëhiqet, por ecën përpara.
“Nuk ka qenë asnjë deklaratë e kundërt. Kam dhënë përgjigje për pyetje të tilla. S’kam dhënë dorëheqjen, jam në detyrë. Nuk dorëhiqem, eci përpara, sepse kam një mision për të kryer, kam një përgjegjësi”, u shpreh Ministri.