Lleshaj medalje nderi zv.drejtorit të Policisë Italiane, Rizi: Lirimin e Alvit e dëshironim fort
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka dekoruar me ”Medalje Nderi”, zv.drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Italiane Vittorio Rizzi, për kontributin në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese mes dy vendeve, në kuadër të luftës së përbashkët kundër krimit. Gjatë takimit, Lleshaj vuri në dukje bashkëpunimin në operacionin “Los Blancos” i cili shkatërroi kartelin ndërkombëtar të drogës që operonte në 10 shtete dhe drejtohej nga trafikantët shqiptarë.
”Vetëm sa për të përmendur operacionin e fundit “Los Blancos” ku roli i Italisë ishte i jashtëzakonshëm, e përmes këtij operacioni u dha një goditje shumë e fortë për krimin e organizuar por edhe një mesazh shumë i fortë për nivelin e lartë dhe besueshmërinë e qëndrueshme midis strukturave tona të luftës kundër krimit. Kjo do të thotë se niveli i goditjes është ngjitur lart dhe ka vajtur thellë, flas për nivelin e goditjes kundër krimit të organizuar, gjë që mundëson dhe inkurajon për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin dhe forcën e goditjes në të gjitha katet e krimit të organizuar. Ky operacion na tregon se tashmë niveli i besimit është i konsoliduar dhe ne mund të besojmë më shumë njëri-tjetrit dhe mund të synojmë më tej”, u shpreh Lleshaj.
Në fjalën e tij, zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë Italiane, Vittorio Rizzi përmendi operacionin për shpëtimin e Alvin Berishës nga kampi ”Al-Hawl” në Siri. ”Më lejoni të shpreh kënaqësinë jo vetëm në emër personal por edhe në emër të forcave të policisë italiane, sepse në këtë çast unë jam vetëm një përfaqësues por puna e jashtëzakonshme për “Los Blancos” dhe për të gjitha operacionet e tjera që zhvillojmë përditë, është një punë e forcave të policisë italiane dhe shqiptare. Ju falënderoj për përmendjen e përpjekjeve të bëra për lirimin e vogëlushit Alvin. Ishte diçka që sistemi i forcave policore italiane e dëshironte fort. Për t’ju ilustruar nivelin e marrëdhënieve me Policinë Shqiptare, dua t’ju zbuloj një të fshehtë të kësaj historie. Përtej çdo forme zyrtare bashkëpunimi, dakordësia për të nisur përpjekjet për lirimin e vogëlushit Alvin, u arrit gjatë një takimi informal me Ardi Veliun, kur ishim në Santiago të Kilit, me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit. Mjaftoi ajo bisedë 2-minutëshe për të realizuar një operacion që më pas do të na e kishte zili gjithë bota. Kjo është një dëshmi e prekshme e bashkëpunimit dhe miqësisë që lidh këto dy forca të Policisë. Edhe njëherë, faleminderit, e më besoni, jam sinqerisht i nderuar dhe ju falënderoj për këtë vlerësim”,- tha Vittorio Rizzi.