Lleshaj mesazh studentëve: Do jeni portreti i ri i Policisë së Shtetit

500 të rinj, 59 prej tyre vajza, nisin rrugëtimin drejt Policisë së Shtetit. Ata janë përzgjedhur në një konkurs, në një proces të fortë, siç e quajti ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, për të ndjekur studimet në Akademinë e Sigurisë. “Ky numër është, në të njëjtën kohë, edhe një shtesë tjetër neto në numrin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, e cila do të ketë edhe 500 vende më shumë në organikën e saj”. Ministri prezantoi dy projekte madhore të qeverisë për modernizimin e uniformave blu. Një kampus i ri i Policisë së Shtetit pritet të ndërtohet, pjesë e të cilit është edhe vetë Akademia e Sigurisë. Po ashtu, ministri tha se së shpejti do të bëhet i njohur partneri i ri i binjakëzimit të Akademisë me një institucion homolog nga Bashkimi Europian, në kuadër të një projekti të rëndësishëm me Komisionin Europian.

“Përmes këtij programi intensiv arsimimi dhe trajnimi, Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Brendshme synojnë që Policia e Shtetit të arrijë në nivele krejt të reja, të krijojë një profil të ri profesional, të marrë një fizionomi plotësisht europiane, të jetë ekzaktësisht Policia që duam. Një organizatë ekselente, e motivuar, e besueshme, e re, dinamike dhe me integritet të lartë. Që ajo t’i ketë këto tipare, ato duhet që t’i ketë secili prej anëtarëve të saj, secili prej jush. Ne jemi të gjithë të bindur dhe besimplotë që ju do të bëheni bartës dinjitozë të këtyre vlerave, portreti i ri i Policisë së Shtetit shqiptar”.

Ministri nuk la pas edhe jë apel dhe mesazh për studentët e rinj se si të ecin më të fortë në rrugën e vështirë të nisur, dhe si të kenë në qendër të saj shërbimin ndaj qytetarëve. “Që të mbërrini në fund të këtij udhëtimi që nisni sot duhet të dëshmoni se keni mendje, trup dhe karakter të fortë; se tek Policia e Shtetit nuk kërkoni thjesht një punëdhënës të sigurt; se suksesin nuk e gjeni tek rruga e shkurtër; se qëllimi juaj në jetë nuk është thjesht e vetëm pasuria apo mirëqenia personale, por edhe shërbimi me besnikëri ndaj interesit publik; se tek Policia e Shtetit nuk vini vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë. Akademia dhe Policia e Shtetit do të përpiqen që gjatë këtij udhëtimi t’ju vënë në provë të vërtetë, një provë të vështirë dhe të ndërlikuar. Megjithatë duhet të dini se gjithçka varet nga ju. Por një gjë është tashmë e sigurtë: nëse doni, ju do të mundni”.

Sot filluan studimet edhe 30 studentë që pasi kanë përfunduar me rezultate të shkëlqyera studimet universitare, janë përzgjedhur ndër rreth 600 konkurrues përmes disa testimesh, përfshirë edhe atë të gjuhës angleze. Ata do të fillojnë Kursin e Oficerit të Policisë Kriminale dhe më pas do të përfshihen në strukturat e hetimit në Policisë e Shtetit.

SHKARKO APP