Lleshaj: Migracioni një sfidë e madhe. Përshkallëzim në luftën kundër kanabisit

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ishte në Kakavijë për 1 vjetorin e fillimit të operacionit ndërmjet forcave të Policisë Shqiptare dhe forcave të FRONTEX.

“Është e rëndësishme të theksojmë që migracioni mbetet një sfidë e madhe, ne kemi regjistruar shifra të larta, madje shumë të larta të migracionit të paligjshëm drejt Shqipërisë, i cili pastaj tenton të zhvendoset drejt vendeve të BE. Ne jemi të vendosur që në bashkëpunim me vendet europiane të kontrollojmë, të frenojmë këtë emigracion i cili shoqërohet me risqe të mëdhaja për sigurinë e Shqipërisë, për sigurinë e vendeve të BE”, tha Lleshaj.

Prononcimi i Ministrit Lleshaj në Kakavijë:

Kemi ardhur këtu për vizitë sot së bashku me Drejtorin e Policisë, me Prefektin e Qarkut Gjirokastër, me kryetarin e Bashkisë Dropull, për të shënuar 1 vjetorin e fillimit të një operacioni shumë të rëndësishëm ndërmjet forcave të Policisë Shqiptare dhe forcave të FRONTEX.

Operacioni synon tre objektiva të rëndësishëm: e para, kontrollin e emigracionit të paligjshëm, e dyta, kotrollin dhe luftën ndaj krimit ndërkufitar, e treta, kontributin për forcimin e marrdhënieve midis Policisë Shqiptare dhe Policive të Bashkimit Europian, në kuadër të gjithë procesit tonë të integrimit në BE.

Është kënaqësi të evidentojmë faktin që për një vit është arritur një volum jashtëzakonisht i madh pune dhe suksesi që ka çuar në rritjen e numrit të goditjeve të krimit kufitar.

Ashtu sikur ka çuar në rritjen e numrit të kapjes së personave, të cilët në mënyrë të paligjshme kalojnë kufirin, flas për emigrantët e paligjshëm.

Është e rëndësishme të theksojmë që migracioni mbetet një sfidë e madhe, ne kemi regjistruar shifra të larta, madje shumë të larta të migracionit të paligjshëm drejt Shqipërisë, i cili pastaj tenton të zhvendoset drejt vendeve të BE.

Ne jemi të vendosur që në bashkëpunim me vendet europiane të kontrollojmë, të frenojmë këtë emigracion i cili shoqërohet me risqe të mëdhaja për sigurinë e Shqipërisë, për sigurinë e vendeve të BE.

Është dita për ta falenderuar BE, për ta falenderuar FRONTEX për këtë kontribut të jashtëzakonshëm.

Dua të theksoj që ky bashkëpunim është i pari që FROTEX ka realizuar me një vend jo anëtar të BE. Një model, i cili tashmë po ndiqet edhe nga vende të tjera të rajonit.

Gjatë këtij operacioni kemi patur mundësi që të kemi këtu 451 oficerë policie nga vendet e BE, të cilët përveçse kanë kontribuar përmes shërbimit dhe patrullimit në kufirin tonë, kanë dhënë edhe një eksperiencë të madhe gjatë bashkëpunimit me oficerët tanë të Policisë.

Sot këtu janë 51 oficerë nga vende të ndryshme të BE. Janë gjithsej 17 vende anëtare që kanë kontribuar me oficerë policie gjatë këtij opreracioni, dhe besoj që në kuadër të këtij bashkëpunimi është shkëmbyer një volum i madh eksperience, dhe është kontribuar fort edhe për forcimin e atyre lidhjeve edhe personale midis oficerëve të Policisë Shqiptare dhe këtyre europiane. Element, i cili i shërben në nivel realisht praktik edhe gjithë përpjekjes tonë integruese.

Pyetje: Atëherë, zoti Ministër një tjetër problem mbeten emigrantët, të cilët kanë kaluar afatin 90 ditor dhe janë vendosur gjoba nga shteti fqinj. Çfarë do të ndodhi me ta? Sepse Rama ka pohuar se këto gjoba do të subvencionohen nga shteti.

Ministri Lleshaj: Qeveria shqiptare është në negociata, në bisedime, në kontakte të ngushta me qeverinë greke për ta adresuar këtë sepse janë shumë qytetarë shqiptarë e të huaj.

Vetë ne si qeveri shqiptare kemi vendosur që të huajt që janë në Shqipëri dhe janë në tejkalim të afateve të mos i penalizojmë.

Pra, kemi pranuar faktin që pandemia si forcë madhore duhet njohur dhe nuk duhen penalizuar qytetarë për shkak të tejkalimit të afateve të qëndrimit në pamundësi të rinovimit të dokumenteve.
Shpresojmë që edhe qeveria greke do ta bëjë të njëjtën gjë.

Mesa jam i informuar kjo gjë do të ndodhë. Por kryeministri ka premtuar publikisht që gjithsesi qeveria shqiptare edhe në rast se qeveria greke nuk do të gjejë mundësi për ta adresuar këtë problem, qeveria shqiptare do të marrë përsipër kostot e të gjithë penaliteteve që janë adresuar ndaj qytetarëve Shqiptarë.

Pyetje: Z. Ministër, në optikën tuaj, a është shkelje e të drejtave të njeriut, plani që ju e keni nisur në parlament për survejimin, përgjimin e të gjithë shtetasve shqiptarë, pa leje nga prokuroria?

Ministri Lleshaj: Ne s’kemi nisur ndonjë plan për survejimin e të gjithë shtetasve shqiptarë në parlament. Nuk ka një plan të tillë, të survejojmë shtetasit shqiptarë.

Janë dhënë alarme nga ata që ende nuk janë njohur me iniciativën e qeverisë, e cila synon vetëm t’i krijojë policisë mundësitë për të ushtruar funksionet e saj në drejtim të parandalimit të krimit.

Pyetje: Cilat janë këto funksione?

Ministri Lleshaj: Janë funksionet e natyrshme të çdo policie që të ndjekë në raste të nevojës për parandalim, të mund të ndjekë një person, i cili duhet ndjekur, në kushtet e parandalimit, konform përcaktimeve të qarta ligjore.

Pyetje: Pa lejen e prokurorisë dhe organeve të tjera ligjzbatuese, si do të veprohet?

Ministri Lleshaj: Policia e Shtetit është vetë organ ligjzbatues dhe ka detyrën dhe përgjegjësinë për të ushtruar parandalimin e krimit. Dhe leja do të jepet nga autoritetet përkatëse drejtuese të policisë.

Pyetje: Pa leje nga prokuroria, dmth vetëm të drejtuesve të Policisë?

Ministri Lleshaj: Thashë edhe njëherë, Policia është një organ ligjzbatues i këtij shteti, e cila ka detyrë ekskluzive parandalimin e krimit. Dhe në funksion të këtij parandalimi, Policia do të ketë edhe këto instrumente në dorë.

Pyetje: Vetëm disa ditë më parë janë bërë asgjësime përsa i përket kultivimit të kanabisit. Duke qenë se jemi në sezonin që fillon mbjellja, çfarë plan masash është marrë nga ana jua? Dhe e dyta, përse burimet zyrtare deklarojnë një numër shumë të ulët të asgjësimit të bimëve narkotike, ndërkohë që e vërteta është ndryshe. Kemi të bëjmë me një ulje të numrit të bimëve në momentin që ato bëhen zyrtare?

Ministri Lleshaj: Lufta kundër kanabisit është një ndër prioritetet e Policisë së Shtetit, e cila ka arritur në këto vitet e fundit suksese të pamohueshme, të njohura ndërkombëtarisht. Pra kanabisi në Shqipëri ka marrë goditje të rënda dhe të pakthyeshme.

Viti 2020 do të shënojë po ashtu një hap të ri përshkallëzimi të përpjekjes së Policisë në luftën kundër kanabisit.

Për këtë arsye ka një plan të madh ndër-institucional ku përfshihet Policia, Prefektura, agjencitë e tjera, të cilat janë të angazhuara që ky fenomen të çrrënjoset nga Shqipëria përfundimisht.

Për këtë janë shtuar kapacitetet e monitorimit, kryesisht monitorimin nga ajri. Një flotë e madhe dronësh është tashmë në operacion, me të cilën mundësohet verifikimi i çdo skaji të territorit.

Po ashtu një flotë e madhe automjetesh me kalueshmëri të lartë janë në dispozicion të Policisë dhe po ashtu është një numër i madh njerëzish, jo vetëm të Policisë, por të gjithë strukturave të shtetit që janë të angazhuar, në këtë front të madh.

Nuk ka mundësi që të kemi asnjë tolerancë në këtë drejtim. Goditja ka qenë dhe vazhdon të jetë e fortë dhe ju garantoj që shifrat janë përditë e në ulje dhe fenomeni nuk ka asnjë mundësi mbijetese më në Shqipëri.

Pyetje: Të paktën në qarkun e Gjirokastrës mbeten vatra, bashkia e Tepelenës dhe ajo e Këlcyrës, janë raportime që janë bërë ditët e fundit. Dhe ashtu sikundër ju thashë, nuk kemi një shifër reale nga ana e DVP. Përse ndodh kjo? Që do të thotë, asgjësohen 2000 bimë dhe deklarohen 180?

Ministri Lleshaj: Çfarë shifre kërkoni! Po kush e ka thënë këtë?

Pyetje: E kanë thënë ata që janë ndjekur penalisht.

Ministri Lleshaj: Për detajet e operacionit të Policisë, mund të kontaktoni Drejtorin e Policisë së Gjirokastrës, i cili mund t’ju japë detaje. Unë nuk kam mundësi të jap detaje, di t’ju them vetëm kaq që objektivi politik i yni është për ta çrrënjosur këtë fenomen, dhe do të çrrënjoset. Kanabisi, dhe gjithë ata që qëndrojnë dhe mbështesin këtë veprimtari kriminale, do të çrrënjosen edhe autorët, edhe bimët së bashku. Faleminderit!

SHKARKO APP