Lleshaj në banesën e vjedhur në Finiq, premtim familjarëve: Masa të forta nga policia për të kapur autorët

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ndodhet këtë të diel në Finiq, ku mes të tjerash ka zhvilluar një vizitë në shtëpinë e shtetasit Vasil Kiço, e cila është vjedhur para disa kohësh.

Teksa publikon foto nga vizita, Lleshaj shkruan në “Facebook” se “Indinjata ndaj këtyre akteve të ulta do të pasohet nga masa të forta të Policisë dhe të autoriteteve vendore për të zbuluar dhe vënë përpara përgjegjësisë autorët”.

Mesazhi i Lleshajt:

Në Krane të Finiqit, vizitova shtëpinë e Vasil Kiços, e cila është vjedhur para disa kohësh. Me 84-vjeçarin, që jeton i vetmuar, diskutova për rastet e vjedhjeve që janë kryer në shtëpitë e këtij fshati dhe më tej.

Indinjata ndaj këtyre akteve të ulta do të pasohet nga masa të forta të Policisë dhe të autoriteteve vendore për të zbuluar dhe vënë përpara përgjegjësisë së ligjit dhe përpara përbuzjes shoqërore ata individë që, në mungesë të çdo morali, cenojnë shtëpi të moshuarish të vetmuar, duke e tronditur rëndë pleqërinë e tyre.

Përballë sigurisë së minoritetit Policia e Shtetit është dyfish e detyruar dhe do të angazhohet në mënyrë të shumëfishtë për të ofruar siguri të plotë, në përmbushje të përgjegjësive të saj ligjore, por dhe në respekt të traditave me të mira shqiptare.

SHKARKO APP