Lleshaj në Shkodër/Ulqinaku: Vetëm kërcënime për burg. E braktisën qytetin
Inspektimi që Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj bëri sot në Shkodër dhe deklaratat nga ana e tij, janë komentuar nga ish-deputetja e PD-së, Izmira Ulqinaku. Teksa akuzoi qeverinë se ka lënë Shkodrën në mëshirë të fatit duke e braktisur, Ulqinaku thekson se Lleshaj në Shkodër dha veç kërcënime me burg dhe ulërima për izolim. “Shkodra është shembulli se si qeveria sillet me shqiptarët. Të vetmet deklarata që dëgjojmë janë ulërima për izolim e kërcënimet për burg. E lanë në mëshirë të fatit, e braktisën qytetin tonë. Asnjë test! Edhe në rastet e zbuluara asnjë gjurmim. Pasi lejuan të hyjë Shkodra nën darët e Covid-19, tani bëhen të gjallë e vijnë e kakarisin si gjeli në grumbull të plehut”.
Postimi i plotë
Ministri Lleshaj në intervisten e dhënë sot në Shkodër ka ofenduar qytetarët duke cilësuar: “Kanë mungesë përgjegjshmërie”. Në të vërtetë mungesë përgjegjshmërie në këtë situatë ka treguar vetëm Qeveria Rama, e cila nuk zbaton rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë: test, test dhe gjurmim të të infektuarve.
Shkodra është shembulli se si Qeveria sillet me shqiptarët. Të vetmet deklarata që degjojmë janë ulërima për izolim e kërcënimet për burg. E lanë në mëshirë të fatit, e braktisën qytetin tonë. Asnjë test! Edhe në rastet e zbuluara asnjë gjurmim. Pasi lejuan të hyjë Shkodra nën darët e Covid-19, tani bëhen të gjallë e vijnë e kakarisin si gjeli në grumbull të plehut.
Vizita e Lleshajt sot, i vlen vetëm propagandës e jo Shkodrës. Shkodrës kur i duhej mbështetja nga Qeveria, e braktisen. Tani, në vend që të shfryjë duf ndaj shkodranëve, do ishte e duhur të sillnin tamponë e të bënin qindra testime.