Lleshaj për negociatat: Jemi në një moment të papërshtatshëm në derën e BE

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka bërë një vizitë në zonën e Dropullit në Gjirokastër, ku u pyet edhe për çështjen e negociatave të Shqipërisë me BE.

Lleshaj tha se qëndrimi i Holandës është i pastër politik, kurse ka shtuar se Shqipëria është në një moment të papërshtatshëm në derën e Bashkimit Europian.

Postimi i Sandër Lleshajt:

Unë kam ardhur sot në Dropull për të parë zbatimin e disa detyrave që patëm lënë gjatë vizitës sime të mëparshme në fillim të vitit. Konstatoj me kënaqësi që ato detyra që qenë lënë për hapjen e zyrave për aplikimin për kartat e identitetit, janë realizuar, dhe është mundësuar që qytetarët e Dropullit të kenë mundësinë të aplikojnë këtu në Dropull, dhe të mos udhëtojnë gjetiu për kartën e identitetit.

Falënderoj me këtë rast bashkinë, e cila është treguar bashkëpunuese dhe e vendosur për ta realizuar këtë. Do të vazhdojë ky proces dhe më tej në Dropull me synimin që shërbimi të afrohet te qytetarët, dhe jo qytetarët te shërbimi. Kjo është ajo motoja që ne ndjekim, për të afruar shërbimin tek qytetarët dhe jo e kundërta, këtu dhe në të gjithë Shqipërinë.

Meqenëse e kam këtë mundësi për median, dua të ftoj të gjithë qytetarët që të përshpejtojnë punën për aplikim për arsye se fundi i vitit shënon dhe fundin e vlefshmërisë së shumë kartave dhe pasaportave dhe do të krijohen probleme për qytetarët, të cilët mbas datës 31 dhjetor, nuk do ta kenë bërë këtë proces.

Duke qenë se ende janë shumë qytetarë që nuk kanë aplikuar, ftoj edhe njëherë, publikisht, të nxitojnë sa më parë pranë zyrave të aplikimit, të cilat janë shtuar në të gjithë Shqipërinë me qëllim që ky proces të marrë fund dhe qytetarët të pajisen me kartat e tyre.

Kam ardhur në Dropull jo vetëm thjesht për shkak të zyrës së aplikimit, por kam ardhur edhe për të shprehur mirënjohjen time për gjithë komunitetin e Dropullit i cili përfaqëson një komunitet të qytetëruar, i cili shërben si urë e rëndësishme e miqësisë dhe e bashkëpunimit tonë me Greqinë, por nga ana tjetër shërben edhe si një model i mirë i një komuniteti të qytetëruar, që prodhon shumë pak ose aspak probleme për rendin dhe sigurinë.

Pyetje: Dropulli njihet për një problematikë shumë shqetësuese për sa i përket vjedhjeve të banesave. Kemi plot ngjarje të cilat janë pa autor. Çfarë mund të na thoni juve për këtë?

Përgjigje: Sigurisht që kur thashë që nuk prodhon probleme Dropulli për sigurinë, nuk thashë që nuk ka probleme sigurie në Dropull; probleme që shkaktohen nga autorë, të cilët dihen ose nuk dihen. Sa u përket vjedhjeve jemi informuar që ka një situatë të caktuar në fushën e vjedhjeve të banesave, kryesisht banesa të cilat janë jo domosdoshmërisht gjatë gjithë vitit të banuara, dhe krijohet vështirësia e njoftimit në kohë të policisë për rastet.

Jam i ndërgjegjshëm që policia ka shumë për të bërë në këtë aspekt dhe besoj që do të angazhohet shumë për të adresuar këtë problem që ju ngrini.

Pyetje: Holanda është një nga vendet që është kundër hapjes së negociatave për shkak të kriminalitetit. Çfarë përgjegjësie mbani ju si qeveri lidhur me këtë?

Përgjigje: Qeveria shqiptare mban përgjegjësi për kriminalitetin që zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Kriminaliteti që zhvillohet në Holandë është përgjegjësi e qeverisë së Holandës që të adresohet në thelb.

Megjithatë, në rastet kur autorë shqiptarë kryejnë vepra kriminale në Holandë, ne ndiejmë një përgjegjësi për të bashkëpunuar me autoritetet holandeze, përgjegjësi të cilën e kemi ushtruar me shumë seriozitet. Mund t’ju them që edhe vlerësimet e palës holandeze, sa i përket bashkëpunimit tonë për të luftuar krimin, edhe në Holandë, janë mjaft pozitive.

Qëndrimi i tyre lidhur me negociatat është një qëndrim i pastër politik.

Pyetje: Në pritje të çeljes së negociatave në fakt kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka thënë se do të mbajë përgjegjësi, madje do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Çfarë përgjegjësie do të mbajë qeveria shqiptare nëse kemi një përgjigje negative?

Përgjigje: Në thelb ne kemi një përgjigje pozitive nga 26 vende anëtare të BE, të cilat e mbështesin pa kushte hapjen e negociatave. Në qoftë se është ky diskutim për hapjen e negociatave, diskutimi shtrohet vetëm për një ose dy vende. Ne nuk mund të themi që qëndrimi i dy vendeve eklipson qëndrimin e 26 vendeve të tjera.

Këtu jemi në një situatë që kemi dy qëndrime të kundërta dhe ne sigurisht jemi shumë mirënjohës për të gjitha vendet e BE, të cilat i kanë thënë “Po” hapjes së negociatave dhe këto janë shumica absolute e vendeve të BE.

Pyetje: Përgjigja negative, do të mbajë qeveria qoftë me zgjedhje të parakohshme apo…

Përgjigje: Nuk kemi një përgjigje negative. Ne kemi një përgjigje pozitive, e cila tentohet të bllokohet me veto nga dy vende.

Pyetje: Si mendoni ju, pse i bllokon?

Përgjigje: Besoj që do ta keni ndjekur përgjigjen e Presidentit të Francës, i cili tha se na duhet ne kohë kësaj radhe për të menduar.

Nuk është çështje e Shqipërisë ose e Maqedonisë së Veriut, por u duhet atyre kohë për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me probleme të brendshme të BE. Ne thjesht jemi ndodhur në këtë moment të papërshtatshëm në derën e BE, ndoshta.

Pyetje: A ka një plan konkret Ministria juaj apo DPPSH për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm në datë 26 kur është dhe përvjetori i Kacifas? Priten ardhje masive të mbështetësve të Kacifas nga Greqia. Juve, a keni informacione apo jo?

Përgjigje: Ne sigurisht informohemi për të gjitha situatat e sigurisë në vend. Ne jemi të bindur që komuniteti i Dropullit di të bëjë zgjedhjet e duhura.

Thashë edhe njëherë që ne vijmë shpesh në Dropull pikërisht për të theksuar rëndësinë që ne i kushtojmë marrëdhënieve të mira midis shqiptarëve dhe grekëve, midis Shqipërisë dhe Greqisë, dhe nuk besoj që rastet e shkëputura të bëhen pretekst për të cenuar këtë marrëdhënie të cilat janë aq të thella dhe aq të qëndrueshme sa nuk mund të cenohen nga incidente sporadike. Sa i përket rastit konkret, nuk mund t’ju them ndonjë gjë të veçantë.

Pyetje: A do të ketë masa të shtuara?

Përgjigje: Masa të shtuara do të ketë nëse ka nevojë për masa të shtuara, ne nuk mund të themi sot se ka nevojë për masa të shtuara. Ne nuk mund të themi sot që do të ketë nevojë për masa të shtuara, por jam i sigurt që komuniteti i Dropullit është në lartësinë e përgjegjësisë qytetare për të kontribuar që marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të Greqisë të ecin në rrugën e duhur. Unë di që ajo që pritet në Dropull nuk është 26-ta por është 28-ta është ajo data kur edhe shqiptarët edhe grekët përkujtojnë një rezistencë të përbashkët kundër fashizmit. Kjo mendoj se ka vlerë për t’u përkujtuar. Sa u përket rasteve të tjera, janë çështje, të cilat nuk meritojnë atë vëmendje, që tentohet t’u jepet nga qarqe të caktuara.

blob:https://www.facebook.com/ff2a0250-ec12-4234-89e7-d7861e8082d1

SHKARKO APP