Lleshaj poston videon nga tregu i Shkodrës, falenderon edhe bashkinë

Katër ditë pas shkarkimit të prefektit në Shkodër, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka postuar në Facebook një video që paraqet ndryshimin e situatës së tregjeve në kryeqendrën e veriut. Lleshaj thotë se kaosi i tregjeve i ka lënë vend standardeve të reja dhe se me vullnet pozitiv shumëçka është e mundur, ndërsa ka një falenderim edhe për bashkinë e Shkodrës.

Me vullnet pozitiv shumëçka është e mundur. Në harkun e pak ditëve, gjendja në Shkodër ka njohur përmirësim rrënjësor. Kaosi i tregjeve i ka lënë vend standardeve të reja, gjë që kontribuon drejtpërdrejt në reduktimin e riskut të përhapjes së pandemisë. Vlerësim për zyrtarët e MB, PSH, agjencive të tjera si dhe autoriteteve vendore të Bashkisë Shkodër për bashkëpunimin në interes të qytetarëve dhe të vetë Shkodrës. Bashkë Ja Dalim” shkruan ai.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj njoftoi në datë 11 prill shkarkimin e prefektit të Shkodrës, Çesk Millja dhe në vendin e tij emëroi zv. ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari. Lleshaj tha se mungesa e vendimmarrjes për menaxhimin e situatës së COVID-19 ishte arsyeja e vendimit për shkarkimin nga detyra të Prefektit të Qarkut Shkodër.

SHKARKO APP