Lleshaj: Reforma në Drejtësi ka sukses kur policia t’i përgjigjet cilësisht krimit
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj shprehet se Reforma në Drejtësi mund të japë rezultate vetëm kur Policia e Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese, t’i përgjigjen cilësisht luftës kundër krimit ekonomik dhe financiar, pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik. ”Reforma në Drejtësi, që sot është në fazën finale, mund të japë rezultatet që presin të gjithë, vetëm kur Policia e Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese, t’i përgjigjen cilësisht luftës kundër krimit ekonomik dhe financiar, pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik”.
Pjesë nga fjala
Një javë para se rreth 30 të rinj e të reja, të nisnin Kursin e dytë për Oficerë të Policisë Kriminale, u diplomua grupi me 36 vetë që mbaroi Kursin e parë me rezultate të larta. Ata i bashkohen trupës, në ripërtëritje të Policisë së Shtetit, për të rritur kapacitetet hetimore dhe forcën goditëse kundër paligjshmërisë në tërësi dhe krimit të organizuar në veçanti. Bisedova me oficerët, pjesë e Gjeneratës së re të Policisë, dhe ajo që më ra në sy, ishte motivimi dhe vullneti për t’i shërbyer atdheut, përmes integritetit të lartë dhe profesionalizmit të shtuar në katedrat e Fakultetit të Hetimit të Krimit, në Akademinë e Sigurisë.
Interesi i lartë i të rinjve në çdo thirrje publike që Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë bërë, dëshmon se trupa policore mbetet një ndër institucionet më të besuara në vend. E kur çdo punonjës zotëron cilësi të larta profesionale e integritet personal, edhe organizata që përfaqësojnë bëhet më dinamike dhe e motivuar.
Reforma në Drejtësi, që sot është në fazën finale, mund të japë rezultatet që presin të gjithë, vetëm kur Policia e Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese, t’i përgjigjen cilësisht luftës kundër krimit ekonomik dhe financiar, pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik.