Lleshaj: Rritje të refugjatëve që përdorin Shqipërinë si vend tranzit

Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj mori pjesë në Forumin Ministerial BE-Ballkani Perëndimor, ”Për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme”, në të cilin u diskutuan tema të rëndësishme, si lufta kundër krimit të organizuar, flukset migratore, lufta kundër terrorizmit, siguria kufitare, lufta kundër trafikut të qenieve njerzore dhe të armëve, etj. Ky takim u organizua nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Presidencën finlandeze të BE-së dhe me Komisionerët e BE-së për punët e brendshme dhe drejtësinë.

Ministri Lleshaj, në fjalën e tij për çështjet e migracionit, pasi vuri në dukje masat e marra nga vendi ynë, nënvizoi se numri i migrantëve që kanë hyrë në vendin tonë ka ardhur në rritje nga viti në vit. ”Ne po vërejmë dita-ditës një tendencë në rritje të migrantëve të parregullt që përdorin Shqipërinë si një vend tranzit, me qëllim që të kalojnë në BE. Gjatë periudhës janar-tetor 2019, rreth 5300 shtetas kanë aplikuar për azil, ose 50%, më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit 2018”.

Lleshaj u shpreh se vendi ynë ka rritur nivelin e bashkëpunimit si me vendet fqinje, ashtu edhe me strukturat e BE-së. Në sesionin e dytë, për terrorizmin, ai nënvizoi përpjekjet e Shqipërisë për t’i bërë ballë fenomenit, qoftë përmes aprovimit të ligjeve të reja, si edhe përmes strukturave të posaçme ligjzbatuese. Për luftën dhe rezultatet kundër krimit të organizuar, ministri Lleshaj, pasi bëri një paraqitje të shkurtër në shifra, theksoi se “sfidat ndaj sigurisë, të tilla si krimi i organizuar, trafiku i drogës dhe qenieve njerëzore nuk njohin kufij, kështu që një përgjigje rajonale dhe europiane kundër këtyre rreziqeve, duhet të jetë një objektiv dhe një sfidë për të gjithë ne.

SHKARKO APP