Lleshaj: Shkollë për t’u bërë zjarrfikës, të jenë më të fortë se RENEA

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj zhvilloi një takim me drejtues të shërbimit zjarrfikës në vend, për të diskutuar mbi mënyrat se si mund të përmirësohet kjo strukturë dhe projektet që janë konceptuar në funksion të këtij qëllimi. Lleshaj theksoi se duhet ngritur sa më parë një qendër trajnimi shumë-funksionale për personelin zjarrfikës.

”Ne na duhet të kemi një shërbim zjarrfikës që të jetë forcë speciale e Shqipërisë. Ne kemi forca speciale në ushtri, në polici, dhe kjo duhet të jetë një forcë speciale. Në kuptimin që ata që punojnë zjarrfikës duhet të jenë më të fortë se ata të RENEA–s që kemi, në çdo aspekt. Duhet të jenë më të zotët, në çdo aspekt, sepse e kanë luftën më të fortë sesa luftë me një bandit me kallashnikov, është lufta me një grataciel, që të ngjitesh në katin e 20-të me shkallë, nëpër flakë e të dalësh me sukses. Është punë që pak njerëz e bëjnë. Me këtë synim duhet të ecim për të krijuar një shërbim, i cili ka këtë standard, të paktën t’i kemi si këto FNSH-të, si këto RENEA-t, në këtë nivel, njerëzit por edhe standardet e tjera”.

Për rekrutimin e personelit në shërbimin zjarfikës, Ministri tha se hyrja në shërbimin zjarrfikës duhet të ketë vetëm një derë dhe kjo do të jetë dera e shkollës. Lleshaj u shpreh edhe për rritjen e profesionalizmit në radhët e shërbimit zjarfikës dhe nënvizoi se do të bëjen shumë projekte, të cilat do të bëhen në mënyrë të përqendruar dhe do të ekzekutohen nga bashkitë.

SHKARKO APP