Lleshaj: Veprimi i policit tërësisht absurd, duhet përgjigje për vrasjen e Klodianit
Ministri i Brendshëm në ikje, Sandër Lleshaj ka treguar arsyet e dorëheqjes së tij, duke mohuar edhe njëherë zërat për presion nga kryeministrit Edi Rama. I ftuar në emisionin “Real Story”, Lleshaj tha se nuk do të hiqte dorë nga posti po të kishte pasur presione. Më tej, ai nënëvizoi se largimi i tij kishte lidhje me ngjarjen e rëndë të vrasjes së 25-vjeçarit, Klodian Rasha.
”Humbja e jetës së një njeriu në terren më detyroi të reflektoj së pari si njeri në respekt të familjes të të ndjerit, që drejtoi sytë nga shteti. Motivi tjetër ishte edhe politik. Për këtë ngjarje, reaguan edhe ata përfaqësues të politikës së vjetër, që janë përgjegjës për ngjarje të tmerrshme që kanë ndodhur në mes të Tiranës dhe që justifikojnë dhunën shtetërore dhe barbare në mes të qytetit. Unë reagova dhe ndaj tyre, për t’ju thënë se nuk jam njësoj me ju. Por e para ishte reagimi moral e njerëzor ndaj familjes, që priste nga shteti një vlerësimk serioz. Fatkeqësisht situata nuk ka qenë për armë. Reagimet e para ishin për tejkalim të kushteve të nevojshme. Unë mora këtë vendim, sepse ligji u tejkalua. Edhe deklarata e sotme e Prokurorisë, ishte në fakt deklaratë e SHÇBA-së. Veprimi ishte i pakuptueshëm. Është ngjarje e rëndë dhe e pakuptueshme dhe do të duhet të sqarohet thellë, ndërsa duhen hetime edhe më tej. Duhet dhënë përgjigja pse ndodhi ngjarja”,-tha Lleshaj.