Llogaridhënia në Librazhd, Balla: Do çojmë deri në fund Reformën në Drejtësi

ZëvendësKryeministrja Senida Mesi: Çështja e punësimit, një ndër prioritetet kyçe të Qeverisë

Llogaridhënia Publike me qytetarët u ndal në Lunik të Librazhdit, ku për më shumë se 3 orë çdo banor i kësaj zone shprehu shqetësimet dhe mendimet e tij dhe mori përgjigjet nga ZëvendësKryeministrja e Republikës së Shqipërisë, Senida Mesi, Kryetari i Grupit Parlamentartë PS, Taulant Balla, ZëvendësMinistri i Mbrojtjes, Petro Koçi, ZëvendësMinistri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, dhe zyrtarë tjerë, të cilët u përgjigjën drejtpërdrejt për fushat që mbulojnë. Ishte shqetësimi i një qytetari në lidhje me pronën dhe pamundësinë për ta marrë atë për shumë vite që riktheu vëmendjen tek çështja e Reformës në Drejtësi.

“E shihni çdo natë në televizion se sa dhimbje po shkakton Reforma në Drejtësi. Edhe këto dallgët që mundohet të krijojë opozita, vijnë për shkak të dhimbjeve që shkakton kjo reformë. Shumë gjyqtarë e prokurorë, jo vetëm që janë larguar nga sistemi i drejtësisë. Kanë bërë pasuri, duke mos bërë drejtësi, njerëz që kanë bërë para e vila duke u paguar nga njëra palë në dëm të palës tjetër, pavarësisht se pala tjetër është ajo që kishte të drejtë. Para një viti pikërisht këtë i kërkuam popullit, votën për ta çuar reformën në drejtësi deri në fund. Tashmë reforma në drejtësi do të shkojë deri në fund dhe kush ka të drejtë do marrë drejtësi në gjykatë dhe kush nuk ka të drejtë, s’do të mund ta marrë padrejtësisht atë. Por na duhet të auditojmë dhe të kontrollojmë çdo gjë që është bërë deri tani. Në Përrenjas, për shembull, kemi investuar 4.3 miliardë lekë, por cilësia e punimeve aty është e paimagjinueshme. Në sheshin e qytetit të Përrenjasit janë investuar 1 miliard lekë, por pleqtë thonë që u ngulet shkopi prapë në baltë. Pra, për ne është shumë e rëndësishme që t’u qëndrojmë gjërave te koka deri në fund dhe për këtë po ashtu kemi nevojë për ndihmën e çdo qytetari”- u shpreh kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndërsa, ZëvendësKryeministrja Senida Mesi, duke u ndalur tek prioritetet madhore të qeverisë, u ndal tek çështja e punësimit si një ndër prioritetet kyçe.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Nëse flas në terma të përgjithshëm dhe aty ku janë prioritetet e qeverisë, sigurisht e para është punësimi dhe duan që çdo vendimmarrje që neve marrim të prekë sado pak numrin e të punësuarve. Kemi bërë një punë të mrekullueshme për qasjen e investitorëve, karshi biznesit, sepse mendojmë që vetëm sipërmarrja e lirë dhe private është ajo që punëson. Ne mendojmë që reforma në shërbimet publike është një reformë e cila duhet të vendoset në shinat e duhur dhe duhet t’ju shërbejë qytetarëve. Fjala “shërbej” duhet të ngulitet në mendjen tonë të parën, që jemi administratë publike dhe pastaj në mendjet tuaja. Është e domosdoshme që ju të kuptoni se në jemi këtu pasi paguhemi me taksat tuaja, ne rrogën e marrim prej jush. Jemi të emëruar nga ju dhe na është besuar të punojmë për ju dhe me ju”- theksoi Mesi.

Po ashtu diskutimet në Lunik u ndalën në disa çështje me rëndësi të madhe për jetën e përditshme të këtyre banorëve si rruga që lidh këtë zonë, uji i pijshëm dhe problemet e energjisë elektrike të cilat shkaktohen nga moti i keq, në një zonë ku linjat tashmë janë të amortizuara.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?