Lobisti korrigjon letrat në DASH: Berisha është aktiv në politikë, por t’i hiqet ”non grata” se s’ka post në qeveri
Kompania lobuese e kontraktuar nga Partia Demokratike përpara zgjedhjeve të 11 Majit ka ndryshuar letrën që i dërgoi në 22 korrik Departamentit Amerikan të Shtetit, ku argumentonte se Sali Berisha nuk është më një politikan aktiv dhe si i tillë ai nuk duhet ketë më statusin non grata të vendosur nga DASH.
Teksa e shitën te zyrtarët e lartë amerikanë, si pensionist për t’i hequr non gratën, lobistët e Berishës vetëm tetë ditë më vonë e ndryshuan variantin e parë të letrës, duke e quajtur tani aktiv në politikë, por jo në Qeveri. Pas publikimit të këtij lajmi, Continental Strategy nxituan të paraqesin një tjetër profil të Berishës, këtë herë si një udhëheqësi popular i opozitës dhe aktiv në rajon.
“Ky raport i korrigjuar rregullon një version të mëparshëm. Versioni i korrigjuar tani pasqyron saktësisht që ndonëse Berisha aktualisht nuk mban asnjë post qeveritar, ai mbetet një figurë aktive politike në rajon dhe udhëheqësi aktual popullor i partisë opozitare në Shqipëri, diçka që versioni i mëparshëm e kishte saktësisht të shënuar në faqen 15. Përmbajtja e plotë e raportit mbetet e padiskutueshme, që është se Berisha dhe familja e tij nuk është dashur kurrë të ishin objektiv, shpallja e tij nuk ishte e justifikuar, dhe heqja e kësaj shpalljeje mbështetet si nga faktet ashtu edhe nga ligji dhe është në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara dhe popullit shqiptar”, thuhet në letrën e dëguar nga kompania lobuese Continental Strategy në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Continental Strategy është një kompani amerikane konsulence dhe lobimi që ka lidhje të ngushta me figura nga rrjeti politik i Partisë Republikane dhe ekipi i Donald Trump. Për Partinë Demokratike të Shqipërisë (PD), marrëdhënia zyrtare me këtë firmë konsiston në një kontratë lobimi afatgjatë, me vlerë deri në 6 milionë dollarë, dhe shërbime të strategjisë politike për të përmirësuar imazhin ndërkombëtar dhe për të lobuar në Uashington në favor të PD-së. /Top Channel/
KOHA JONË SONDAZH

