“Logu i Bjeshkëve” kurorëzon vajzën nga Selca, Liljana Lashaj, si të bukurën e dheut të Malësisë
Albert Vataj-
Vajza nga Selca e Kelmendit, Liljana Lashaj, në një garë sfiduese me konkurente të forta, është kurorëzuar si e bukura e të bukurave të dheut të Malësisë. Kurora e bukurisë malësore është privilegj dhe përgjegjësi për të si fituese dhe për çdo vajzë që arriti të ishte në garë. Ata erdhën të mbajnë të ndezur zjarrin e një tradite, të tregojnë me krenari se meritojnë xhubletën dhe shpërblimin e madh të përfaqësimit.
Më 11 gusht 2024, në Qafën e Predelecit, Kelmend, është rikthyer “Logu i Bjeshkëve”, për të vazhduar historinë, për të vijuar një traditë, për të shpërfaqur vlera, për të dëshmuar se e bukura e natyrës është në simbiozë me të bukurën e etnografisë dhe bukurisë së vajzës malësore.
Kurorëzimi i së bukurës së dheut të Malësisë, në “festën e traditës”, në mrekullinë e këngës dhe valleve, bashkoi malësorët nga gjithë bota në logun e Lëpushës, Kelmend. Krejt magjia e bjeshkëve u shpërfaq, me hiret e vajzave, me madhështinë e xhubletës, me gazmendin e festës.
“Krenar për traditat, folklorin, ritualet, xhubletën autentike, artin burimor dhe shumë krenar për njerëzit e mrekullueshëm të Kelmendit dhe Malësisë së Madhe, që e ruajnë dhe e promovojnë me krenari këtë trashëgimi të pasur kulturore.
Në festën më të veçantë tradicionale në trojet Shqiptare “Logu i Bjeshkëve”, përjetuam në mënyrën më të gjallë traditat tona shekullore dhe zgjodhëm më të bukurën e të bukurave, vajzën nga Selca, Liljana Lashaj. Një falenderim të veçantë për të gjitha vajzat pjesëmarrëse, që e zbukuruan Logun me hijeshinë e tyre veshur me petkun hyjnor të xhubletës, një falenderim i përzemërt për grupin artistik që performuan me dinjitet thesarin tonë kulturor dhe për publikun e pranishëm, që çdo vit marrin pjesë në këtë manifestim të madh tradicional.
Përjetësisht krenar” shkruan në rrjetet sociale kryebashkiaku i Malësi e Madhe Tonin Marinaj, i cili ka shoqëruar këtë falenderim me një galeri fotosh, të cilat janë një panoramë e plotë të kësaj dite të festës së traditës.
Edhe këtë vit, kjo ngjarje bashkoi malësorët nga gjithë bota në “Log”; për të kuvenduar, kërcyer, kënduar dhe për të gjetur më të bukurën zanë të e zanave të malësisë.
Malësia e Madhe përmes “Logut të Bjeshkëve”, u rrëfen të gjithëve atë që ka qenë dhe do të mbetet në shekuj, e shtrenjtë dhe e çmuar, amanetin e ruajtur thellë në gjirin e këtyre maleve dhe në shpirtin e këtyre njerëzve të mrekullueshëm, të thesarit të traditës, të hirit hyjnor të malësores.