Lorenc Vangjeli: Secili reformën e tij…
Nga Lorenc Vangjeli
Edhe maxhoranca e Ramës, edhe opozita jashtëparlamentare e Bashës dhe Kryemadhit, edhe opozita në parlament, edhe Bindja e Patozit, në mënyrë të pabesueshme, u bashkuan në një pikë të përbashkët këtë javë. Nevoja për reformën zgjedhore e bëri skenën politike të vendit më konkrete dhe ndoshta edhe pak më shumë të dobishme, sesa vërtitja prej kuajsh në haurin e pistë të Tiranës. Të gjitha palët e përfshira në garën periodike të votës, kanë artikuluar vullnet për të prodhuar kushtet e lojës përpara votës.
Siç kanë bërë gjithmonë në fillim dhe janë penduar më pas në vijim. Kanë hedhur në treg propozime për ndryshime e korrigjime, që nga paratë e ligjshme që do të hidhen në garë e deri tek natyra e komisionerëve, që nga administrimi i zgjedhjeve e deri tek pika më e nxehtë: ndryshimi i mundshëm i sistemit zgjedhor. Kjo është fotografia e momentit të humorit të përbashkët politik. Por situata komplikohet kur mendohet realizimi i saj në praktikë.
LEXO EDHE:
‘Jemi të parët në sondazhe’/ Kulluri sfidon Bashën: Gënjeshtar dhe dështak, dil në shesh e tregoje!
Maxhoranca ka nevojë për votat e opozitës parlamentare që të kalojë ligjin e ri, por duhet të ketë dhe bindjen e mbështetjen e opozitës jashtëparlamentare për të realizuar këtë operacion.
Opozita jashtëparlamentare nuk ka votë në dispozicion, por do të tentojë të ndikojë në derivatin e saj të mbetur në parlament për të imponuar vullnetin e saj.
Opozita e parlamentit nuk ka legjitimitet moral në administrimin e votës së saj, por do të tentojë ta shesë shumë shtrenjtë të drejtën e votës së saj në parlament.
Të gjithë kundër të gjithëve dhe gjithkush që ka nevojë për tjetrin, tashmë janë në momentin kur edhe nëse duan, nuk munden të bëjnë përpara pa pak pazar. Nga ato lloj llogarish që në Shqipëri shkojnë nga premtimet për një vezë të menjëhershme të të sotmes e deri tek ato për pulë pushteti neser. Eshtë krijuar një qark i mbyllur, që nis me interesa politikë dhe nuk mbyllet me interesa individuale, premton vetëm sherr dhe rrëmujë. Eshtë një nga ekuacionet më të vështirë dhe njëkohësisht më qesharakë që duhet zgjidhur deri në dimrin e këtij viti.
Me shumë gjasë, në epilog të tij ai do të vazhdojë me një thirrje për arbitra të huaj, për t’u shndërruar dhe në dëshminë e rradhës për të kuptuar dhe njëherë sesa i gabuar ishte akti i opozitës për daljen nga sistemi. Se i cfarë shkalle lebetie ishte vullneti për të bërë listat e deputetëve dhe për të improvizuar pianistë delikatë nga sharrëxhinj të zhurmshëm, me mendësinë që pastaj pianistëve t’u kërkohet prerja e pyllit! Tani është rradha e sistemit që po “hakmeret”. Sistemi po tallet me të gjithë duke nisur me ata që fyejnë edhe barsaletat vetë nëse bëhen personazhe të tyre!