Lorik Cana; lotë gëzimi kur ëndrrat bëhen realitet!

Plot 13 vjet më parë Lorik Cana zgjodhi të përfaqësonte ngjyrat kuqezi.

Atëherë ai ishte një djalosh i panjohur në ambientin kuqezi, që luante te PSG në Francë dhe kërkohej nga dy kombëtare të mëdha, Zvicra dhe Franca. Zgjodhi Shqipërinë dhe kjo ishte një çështje zemre.

Kuqezinjtë kurrë nuk kishin qenë pjesë të një kompeticioni të rëndësishëm.

Ndeshja e parë dhe pse një miqësore e panjohur nga Fifa, ishte një ndeshje zemre ashtu si zgjedhja e tij, me Lorikun që luajti përballë Kosovës me Shqipërinë.

Në krye të skuadrës ishte një trajner italian, Beppe Dossena.

Gjithsesi për herë të parë në fushë në një ndeshje zyrtare do ta shikonim ndaj Zvicrës, vendit ku luajti në rininë e tij.

Që nga ai moment, Cana nuk do të ndalej më duke thyer dhe rekordin e futbollistit me më shumë ndeshje në kombëtare.

13 vjet më parë, ëndrra e tij ishte të çonte Shqipërinë në Europian, ose Botëror. Gjatë kualifikueseve të Botërorit Brazil 2014, ai tha se pas këtij eventi do të ishte kapiten i Shqipërisë dhe me lojtarë të tjerë të rinj të talentuar që shkëlqenin në kontinent, Cana besonte shumë, dhe e shihte të realizueshme ëndrrën e madhe të tifozëve.

Dhe në moshën 32-vjeçare arriti ta bëjë ëndrrën realitet.

Në fund të ndeshjes me Armeninë, përqafimi me presidentin e FSHF, Armand Duka, ishte një shpërthim lumturie, për një dëshirë që Loriku e besonte se mund të realizohej dhe atëherë kur të gjithëve i dukej e pamundur. Ishte 90 minutëshi i fundit, kur vendosej pëfundimisht fati dhe ëndrra e madhe e shqiptarëve.   

Qershorin e ardhshëm, Lorik Cana do të udhëheqë përfaqësuesen shqiptare në fushën e lojës në Francë, aty ku  nisi karriera e tij, në eventin më të madh evropian të futbollit.

Dhe për një futbollist, që ka qenë kapiten te Olimpik Marsejë apo Sandërland në Premierligë, ajo do të mbetet padyshim arritja më e madhe në karrierën e tij, një arritje që ai e ëndërroi 13 vjet më parë.

Shqipëria, në tërë historinë e saj, nuk kishte mundur dot të kualifikohej në një kompeticion si Europiani apo Botërori,  

Të rinjtë e sotëm kanë një model për të ndjekur, në jetë. Shpirti i sakrificës, i këmbënguljes dhe i suksesit që arriti Cana me shokë është padyshim modeli më i mirë shqiptar që duhet ndjekur.  

SHKARKO APP