Lot, dhimbje dhe ankth. Historitë e viktimave nën rrënoja
Deri më tani bilanci i viktimave nga tërmeti është 31 persona të konfirmuar nga familjarët, ndërkohë që sipas policisë kanë humbur jetën 26 persona duke krijuar një diferencë, se disa viktima të cilat ende nuk janë identifikuar. Pjesa më e madhe e njerëzve të humbur raportohen në zonën e Kënetës në Durrës dhe Thumanë. Trupa të pajetë të mbetur nën rrënoja, trupa të pa jetë që janë nxjerrë nga forcat e shpëtimit, persona të plagosur, lot e dhimbje në sytë e të gjithëve. Çadrat në stadiumin ”Dinamo” të Durrësit të mbushura nga njerëzit që mbetën në qiell të hapur, teksa mbajnë në duart fort të vegjlit e tyre, janë ngjarjet tronditëse që la pas tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit.
Sadri Çakoni ka humbur mbi 6 familjarë nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë. Ai tregon gjendjen e tij të dëshpëruar. “Unë quhen Sadri Cakoni që jetoj kot që nuk më duhet jeta më. Nuk e di sa njerëz mund të kem humbur. Duhet të jenë nën rrënoja edhe 6-7 anëtarë të familjes sime të vdekur. Më ka mbetur vetëm një dhëndër me dy nipa. Motër, mbesë, nuse, nipi, goca dhe vëllai kanë humbur jetën. Nuk po di të numëroj më. Unë nuk kam qenë këtu kam qenë jashtë”.
Kurse familja Çupi më 26 nëntor do të ndërronte unazat. Djali i tyre, Aleks Çupi do të fejohej. Burrë e grua, Hajredin dhe Lutfie Çupi ndërruan jetë së bashku me djalin e tyre që kishte ardhur nga Anglia për fejesën e djalit, Klement Çupi. Ai kishte 10 vite që jetonte në Angli bashkë me bashkëshorten e tij. Ajo e priste në Angli t’i sillte lajme të mira nga fejesa, por mori lajmin e kobshëm të ndarjes nga jeta të njeriut të saj të zemrës. Klement Çupi dha fillimisht shenja jete, madje kërkoi edhe ujë teksa ndodhej nën rrënoja në banesën e prindërve në Thumanë, ndërsa u nxor i pajetë pas rreth 17 orë kërkimesh. Kësaj tragjedie i shpëtoi Aleks Çupi i cili kishte ardhur nga Greqia për tu fejuar. Ka marrë dëmtime por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Mes viktimave është edhe Evi Kardashi, e cila ishte balerinë në hotelin “Mira Mare”, që u shemb totalisht. Ajo mbeti brenda hotelit dhe u gjet e vdekur nën rrënoja. Evi, ishte nga Tirana dhe banonte në zonën e “Astirit” në kryeqytet, ndërsa siç thanë dëshmitarët, asaj i ishte shembur banesa nga projekti i “Unazës së Re”.
Isa dhe Shemsedin Abazi, janë dy vëllezër nga Kosova të cilët u shuan nën rrënojat e hotel “Tropikal” në Durrës. Të rinjtë kishin arritur të kërkonin ndihmë me anë të celularit por pas mbi 10 orë nën rrënoja, ata nuk mundën të mbijetonin. Kanë lënë pas fëmijët e tyre, njëri 4 të vegjël dhe tjetri dy fëmijë. Tashmë në familjen Abazi ka mbetur vetëm një djalë i cili do të përkujdeset për të gjithë anëtarët e tjerë. Vëllezërit kishin shkuar për punë në Durrës. Ata ishin mekanikë dhe vinin në Shqipëri për të marrë pjesë makinash.
Nënë e bijë nga qyteti i Durrësit humbën jetën nga tërmeti i frikshëm. Ato jetoni në pallatin 6 katësh që u shemb nga tronditjet e forta të tërmetit. Gazeta e njohur zviceriane “Blick” i ka kushtuar një artikull prekës Dienës 30-vjeçare dhe dhe Esiela 8-vjeçare. ”Tërmeti shkatërroi një pallat me gjashtë kate në Durrës, ku jetonte Diena Meçaj Karanxha (30) dhe e bija, Esiela (8). Teksa ekipet e shpëtimit e gjetën vogëlushen të vdekur, ata e nxorën mamanë e re nga rrënojat të gjallë pas dy orësh. Ajo ndoqi kështu burrin e saj dhe babanë e Esielës. Karanxha e humbi burrin në vitin 2015 dhe jetonte vetëm me të bijën e vogël në pallat. Në një postim në facebook në vitin 2015, ajo vajtonte humbjen e burrit, të cilin e quante me dashuri Dori: ”Falenderoj Zotin çdo ditë për fatin që pata. Por jeta na vendos përpara provave të vështira”.