LRI, konsultim publik për vullnetarizmin e propozuar nga LSI‏

 

Lëvizja Rinore për Integrim ka organizuar një konsultim publik me organizatat e shoqërisë civile mbi projektligjin për vullnetarizmin të propozuar nga LSI.

Të pranishëm në këtë takim ishin deputetja e LSI-së, ‎Kejdi Mehmetaj, Kryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim, ‎Endrit Braimllari si edhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi

Gjatë bashkëbisedimit znj. Kejdi Mehmetaj, një nga nismëtarët e projektligjit, tha se nisma synon të nxisë shoqërinë për të qenë më aktive dhe për të qenë vullnetarë edhe në shërbim të atyre që kanë nevojë.

“Kjo nismë konkretisht mund të jetë një ligj për vullnetarizmin por në thelb ka një strategji të tërë që shërben për të nxitur vullnetarizmin si një aksion pozitiv, jo vetëm te të rinjtë, por edhe të gjithë qytetarëve në shërbim të komuniteteve ku ne jetojmë. Ky ligj është një instrument i parë për ta formalizuar dhe nxitur të gjithë marrëdhënien, por në të vërtetë bëhet fjalë për të nxitur shoqërinë për të qenë qytetarë më aktivë dhe për të qenë vullnetarë edhe në shërbim të atyre që kanë nevojë për ne dhe për punën tonë. Puna për këtë projektligj ka nisur që dy vite përpara dhe gjatë kësaj kohe ka ecur në të gjitha etapat që merr hartimi i një projektligji.

Deputetja e LSI-së e siguroi shoqërinë civile se sugjerimet e tyre mbi ligjin do të pasqyrohen gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare, teksa theksoi nevojë për të qenë më të përgjegjshëm për komunitetin.

“Çelësi i këtij projektligji dhe i gjithë nismës tonë, është tek nxitja. Nuk jemi ë ngurtë për të thënë që kjo është zgjidhja jonë dhe duhet të jetë patjetër, por jemi padiskutim të vendosur që vullnetarizmin tashmë ta çojmë në etapa të reja. Kjo sepse janë të rinjtë, janë qytetarët ata të cilët po e kërkojnë vazhdimisht. Është e rëndësishme që Shqipëria të zhvillohet, të zhvillohet qytetërimi demokratik dhe që të ndodhë kjo gjë, duhet kontributi i të gjithë qytetarëve dhe vullnetarizmi është një nga rrugët kryesore për ta bërë këtë gjë. Duhet të na shërbejë ky diskutim dhe gjithë puna që është bërë gjatë gjithë këtyre viteve që të jemi të gjithë më të përgjegjshëm për një komunitet që na shërbejë më pas të gjithëve më shumë”, – u shpreh ndër të tjerash znj. Kejdi Mehmetaj.

Kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari u fokusua tek nevoja për të pasur konsultime më të gjerë me publikun, jo vetëm për projektligjin në fjalë, por edhe për nisma të tjera, për të marrë sa më shumë mesazhe dhe ide të vlefshme veçanërisht nga rinia.

“Ne kërkojmë një rini aktive, kërkojmë një rini të arsimuar që të jetë e aftë të përballet me tregun e punës, por nga ana tjetër kemi detyrë morale t’i japim kësaj rinie atë çka meriton. Ky projektligj është në vijueshmërinë e disa reformave që ne do të ndërmarrim për të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë. Ne kemi nevojë për mesazhin tuaj, kemi nevojë për ndihmën tuaj, që vërtetë na çon në thelb të problemit që kanë sot të rinjtë. Jemi të bindur që sfidat evropiane të vendit tonë nuk mund të realizohen nëse nuk konsultohemi dhe nëse nuk hedhim në letër disa mendime shumë të sakta shumë të qarta. Duhet të sjellim një model të ri, duhet të sjellim modelin e konsultimit, duhet të sjellim modelin e bashkëpunimit, sepse nëse nuk bashkëpunojmë nuk do të kemi të ardhme të sigurt”, – deklaroi z. Braimllari.

Hartimi i projektligjit për vullnetarizmin u zhvillua nga studentët e Lëvizjes Rinore për Integrim, në konsultim me organizatat e shoqërisë civile dhe vullnetarët që ofrojnë shërbimin e tyre në Shqipëri.

SHKARKO APP