LSI denoncon skandalin, Rira: Aksi Qukës-Qafë Plloçë kishte kosto fillestare 152 milionë dollarë, ndërsa tani kostoja ka shkuar në 280 milionë
Aktualitet E Premte, 19 Shkurt 2021 18:33
Ish-kryebashkiakia e Prrenjasit Miranda Rira, përmes një postimi në Facebook, ka denoncuar skandalin që lidhet me ndërtimin e aksit kombëtar Qukës-Qafë Plloçë, ku sipas saj kishte një kosto fillestare prej 152 milion eurosh, por deri më tani që është kryer vetëm gjysma e projektit kostoja ka shkuar në 280 milion euro.
Rira shkruan:
Ja punëmbaruesit që kërkojnë mandat të tretë !
Rruga Qukës-Qafë Plloçë, është një dëshmi e gjallë e dështimit të qeverisjes socialiste që kërkon mandat të tretë.
E nisur rreth 12 vjet më parë, rruga që do të afronte Tiranën me Korçën, nuk përfundoi kurrë! Pluhurin, gropat dhe baltën e rrugës, duhet ta vuajnë banorët e Karkavecit, çdo verë e në çdo kohë!
Me një gjatësi prej 40.5 km, projekti fillestar për përfundimin e rrugës ishte në vlerën 152 mil USD. Edhe pse erdhën në pushtet dhe kishin gjithë kohën në dispozicion, ministrja Balluku e thirrur në interpelancë tha në parlament, se nuk ka patur një studim gjeologjik të mirëfilltë të situatës që në fillim të zbatimit të projektit!!
Projekti gjysmak deri tani ka kapur shifrën 280 mil USD, dhe s’i dihet dhe sa para të tjera do të duhen deri në përfundim!!
280 milion euro, do të ishte një shifër e mjaftueshme për të perballuar pandeminë, për të përkrahur bizneset, për tju dhënë një dorë spitaleve rajonale, për pajisjen me shtretër, që pacientët mos prisnin nëpër ambulanca!
Meqe ra fjala, sikur 1 mil euro nga këto, ta kishte dhënë qeveria për spitalin e Prrenjasit, që është katastrofë, do ishte një investim shumë më i vlefshëm, pasi dhe shoku Tao ka 20 vjet që e premton ndërtimin e tij!