LSI Korçë, Dinellari: Fenomenet ”Tire” e ”Torra”, dramat e politikave shtetërore në sektorët kryesore
Nënkryetarja e LSI-së për degën Korçë, Dr.Suela Dinellari që është edhe lektore pranë Universitetit ”Fan Noli”, përmes një postimi të gjatë në facebook, ka analizuar fenomenin ”Tire” dhe fenomenin ”Torra”, që sipas saj janë dramat e politikave shtetërore në sektorët kryesore të shërbimeve në Shqipëri.
”Politikat e këqija shtetërore kanë minuar programet e mësuesisë në të gjitha profilet; duke çuar në mbyllje të tyre në të gjitha universitet shqiptare. Migrimi masiv dhe rënia e numrit të lindjeve për shkak të pasigurisë ekonomike e shëndetësore që ofrojnë politikat shtetërore, kanë çuar në krijimin e klasave kolektive, që privojnë lirinë për arsim të barabartë dhe ulin cilësinë në këtë sistem duke ulur paralelisht cilësinë e kapitalit njerëzor të vendit”.
Nga ana tjetër, ajo nënvizon se kjo situatë që ne e prekim çdo ditë, shtron kërkesën dhe detyrimin qytetar për ndryshim të domosdoshëm. ”Në 25 prill le të jemi ne protagonistët e ndryshimit dhe progresit, të përgjegjshëm dhe kontribues për të ardhmen e vendit”,-thotë më tej Dinellari.
Postimi i plotë
Sfidat e politikave shtetërore në Shqipëri, së fundmi kanë pasqyruar përmes dy fenomeneve “Tire” dhe ” Torra” degradimin e dy sektorëve më të rëndësishëm të shërbimit, shëndetësor dhe arsimor, që sigurojnë vazhdimësinë e zhvillimin ekonomik të vendit. “Fenomeni Tire” pasqyroi përmes “personifikimit të një individi” mungesën e përgjegjësisë dhe kontrollit, një keq menaxhim e situatës së pandemisë në spitalet Covid. Nuk është rasti sporadik i “sekserit” por i mungesës së kushteve që u ofrohen pacientëve; të cilët paguajnë kosto shtesë për shërbimet minimale dhe të detyrueshne nga stafi administrues dhe shëndetësor;…uje, ushqim e pastrim.
Nëse ju referohemi spitaleve rajonale, si Spitali Rajonal i Korçës; qartësisht konstatohet:
-mungesa e stafeve shëndetësore në specialitete të caktuara,
-mungesa e medikamenteve;
-mungesa e financimeve për diagnostikim me aparatura dhe reagentë për analiza të urgjencës;
-mungesë financimesh në infrastrukturë dhe teknologji.
Kjo situatë ka rritur ndjeshëm pasigurinë edhe pse qytetarët në shkëmbim të këtij shërbimi paguajnë rregullisht taksë mujore. Ndërkohë “Fenomeni Torra”; na vendos përballë modelin e rolin e mësuesit në sistemin arsimor shqiptar, të depersonalizuar në status, të keq paguar por jo të demotivuar. Nuk është rasti sporadik ” i një humanisti”, të cilit i duhet të sigurojë kushtet minimale dhe klimën në klasë ( i ftohti i acartë në rajonin juglindor) për të përmbushur më pas misionin e tij fisnik.
Kur i referohemi sistemit arsimor problemet janë shumë dimensionale në të gjitha ciklet e studimeve, në veçanti në Rajonin e Korçës.
-Mungon një vizioni i qartë, i detajuar dhe i orientuar për zhvillim.
-Ka një rënie të vazhdueshme të buxhetit për investime infrastrukturore dhe integrim të teknologjisë së avancuar.
-Vihet re keq adaptimi i modeleve më të mira arsimor si norvegjeze, finlandeze, japoneze etj… duke çorientuar politikat shtetërore e duke prodhuar reformim fiktiv.
-Ka një tkurrje të sistemit në më shumë se 35% të numrit të nxënësve që e frekuentojnë, largime në më shumë se 22% të mësuseve në të gjitha ciklet e sistemit parauniversitar; më shumë se 35% të shkollave të mbyllura dhe 70% të klasave të reduktuara.
-Drejtuesit e shkollave; shpesh individë të emëruar politikisht pa asnjë status meritokratik, që interesohen për përmbushje të egos dhe interesave personale; kanë shpërfytyruar modelin e mësuesit profesionist dhe kompetent.
Politikat e këqija shtetërore kanë minuar programet e mësuesisë në të gjitha profilet; duke çuar në mbyllje të tyre në të gjitha universitet shqiptare. Migrimi masiv dhe rënia e numrit të lindjeve për shkak të pasigurisë ekonomike e shëndetësore që ofrojnë politikat shtetërore, kanë çuar në krijimin e klasave kolektive, që privojnë lirinë për arsim të barabartë dhe ulin cilësinë në këtë sistem duke ulur paralelisht cilësinë e kapitalit njerëzor të vendit.
E si të mos mjaftonin këto, edhe rritja e pagës së premtuar për mësuesit “de jure”në vlerën 15% ; evidentoi edhe njëherë zhgënjim dhe mungesë reale vlerësimi, duke rritur pakënaqësite e tyre sepse rritja “de fakto”, rezultoi të ishte më pak se 9%. Kjo situatë që ne e prekim çdo ditë; shtron kërkesën dhe detyrimin qytetar për ndryshim të domosdoshëm. Në 25 prill le të jemi ne protagonistët e ndryshimit dhe progresit, të përgjegjshëm dhe kontribues për të ardhmen e vendit!