LSI kundër PS-së për burg ndaj biznesit dhe masave shtrënguese tatimore

 

PS-ja po kërkon të rrisë masat drastike kundër biznesit, me arreste dhe penalitete tepër të larta që sjellin falimentime të mëdha nëse miratohet. Lëvizja Socialiste për Integrim është kundër draftit të qeverisë që parashikon ashpërsim të Kodit Penal ndaj biznesit që shmang detyrimet doganore e tatimore. Drafti parashikon heqjen e gjobës dhe burg deri në 10 vjet për të gjithë ata që bëjnë evazion fiskal apo fusin mallra kontrabandë. Në këndvështrimin e LSI-së, këto masa shtrënguese nuk zgjidhin problemin, mbytin biznesin dhe nxisin korrupsionin.

Deputetët e LSI-së Përparim Spahiu dhe Gjovalin Kadeli, shprehin rezerva për projektligjin e sjellë nga qeveria. Të dy deputetët vlerësojnë se ka nevojë për një reformë ndaj informalitetit, pasi situata është e rëndë, por masat nuk duhet të jenë represive.Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu, i konsideron si zgjidhje të gabuara ashpërsimet e Kodit Penal ndaj shkeljeve tatimore e doganore të biznesit.

Duket se ka divergjenca të mëdha parimore mes PS dhe LSI në lidhje me biznesin. LSI thotë se biznesi ka nevojë për përkrahje sepse akoma nuk është në parametrat kur mund të mbijetojë në kushtet e një krize ekonomike, ndërsa Qeveria kërkon penalizime deri në burg 10 vjet, aqsa mund të kryejë një person që bën vrasje. Debati vazhdon dhe nuk dihet se si do të shkojë votimi në parlament. Ilir Meta mësohet se ka porositur deputetët e tij që asnjë votim kundër interesave të biznesit të vogël e të mesëm.

SHKARKO APP