LSI, Manjani: Ismaili u zgjodh fitues në Vorë nga jabanxhinj elektoral

 

Vazhdon beteja ligjore mes LSI dhe PD ne  KQZ. Përfaqësuesi ligjor i LSI-së Ylli Manjani argumentoi përse forca politike e drejtuar nga Ilir Meta kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Vorë. Sipas tij, LSI nuk mund të pajtohet me blerjen e votës të cilat i kthyen zgjedhjet në Bashkinë e Vorës në të pandershme. Sipas tij Fiqiri Ismaili, i zgjedhur në mandatin e katërt në Bashkinë e Vorës, u shpall fitues nga votat e “jabanxhinjve elektoral”, siç Manjani quajti personat e regjistruar në mënyrë fiktive në listën e votuesve.
 
“Ka qenë një dilemë për ne nëse duhet të ankoheshim apo jo, sepse duhet të zgjidhnim mes faktit për të legalizuar një hile, një poshtëri apo për t’i vënë fre kësaj maskarade që ka  ndodhur në Bashkinë e Vorës. Në konceptin e LSI, në Bashkinë e Vorës zgjedhjet ishin të lira, por jo të ndershme. Të zgjedhësh një petull për një votë është pjesë e lirisë, pavarësisht se nuk meriton respektin tonë askush që ka shitur votën. Kryetarin e bashkisë së Vorës e kanë zgjedhur banorë jo të Vorës, por disa jabanxhinj elektoral, 700 e kusur, por që të regjistruar në lista janë të paktën 600 dhe kemi prova që të paktën 400 prej tyre kanë votuar. Nesë do të ishte mbi 500 vota diferenca ne nuk do ta bënim këtë ankimim.  Duhet të mbyllim sytë, ta lëmë këtë histori? Nuk besoj se është në interes të KQZ dhe partive politike nëse nuk ndërhyjmë për ta zgjidhur një herë e mirë këtë”,-  u shpreh përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ylli Manjani.
 

Avokati: Zgjedhjet të pavlefshme. Votuesit fiktivë punonjës të filialeve në rrethe të Agro Blend e krushqi e Fiqiri Ismailit
Avokati që LSI ka zgjedhur për ankimin e saj, sqaroi para përfaqësuesve të KQZ-së se zgjedhjet në Bashkinë e Vorës janë të pavlefshme nga ana ligjore.
 
Ai foli për një krim zgjedhor kur tha se që nga periudha nëntor e vitit 2014 deri maj të 2015-ës janë shtuar të paktën 745 persona në regjistrin e gjendjes civile të Bashkisë së Vorës.
 
Këto lëvizje duhet të ishin bërë në përputhje me ligjin, të paktën personat që transferohen tek vendi ku shkojnë të kenë një banesë, lidhje martese , ose një titull të ligjshëm përdorimi, duhet të kenë qëndruar tre muaj në mënyrë të pandërprerë etj, çka nuk janë realizuar”, vijoi avokati.
 

Swiss Digital Desktop Reklama

Nga kjo listë tha ai, -578 prej të regjistruarve në mënyrë fiktive janë me të drejtë vote dhe 329 prej tyre të faktuar që kanë votuar. Kur diferenca e votave mes Luan Sallakut, kandidatit të majtë, dhe Fiqiri Ismailit është 258, atëherë, tha avokati, – kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane do të ishte fitues i këtyre zgjedhjeve.
 
“Kanë ardhur gjithë punonjësit e “Agro Blend” të Lushnjes, Janë të gjithë me lidhje familjare, kanë ardhur familjarë të deputetëve të PD-së, Rojet, gjithë filialet që punojnë në rrethe, vëllai i kandidatit, vjehrri, krushku. Këta njerëz ditën e votimit nuk dinin as ku ishte qendra e votimit, sa i morën njerëzit e kryetarit dhe i drejtonin. Shumica e tyre kanë bërë prapë kërkesë për tu transferuar në tiranë Janë të paktën 420 persona që kanë votuar, 329 të faktuara”, tha avokati. 

Swiss Digital Mobile Reklama

Ankimimi i LSI-se
Të martën, Lëvizja Socialiste për Integrim ankimoi rezultatin e zgjedhjeve vendore në bashkinë e Vorës që nxori fitues për të katërtin mandat Fiqiri Ismailin, duke kërkuar pavlefshmërinë e tyre.
 
LSI kërkon shpalljen si të pavlefshme të zgjedhjeve në të paktën 18 qendra votimi në Bashkinë Vorë. Në kërkesën ankimore që kjo forcë politike ka depozituar në KQZ pretendohet se humbja e kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Europiane Luan Sallaku lidhet me listat fiktive të zgjedhësve në këtë bashki.
 
 
Ndërkohë në bazë të tabelës së rezultateve të KZAZ 26 të bashkisë së Vorës, është shpallur fitues kandidati i së djathtës Fiqiri Ismaili i cili rezulton të ketë marrë 8183 vota ndërsa kandidati u së majtës Luan Sallaku ka marrë 7925 vota, pra me një diferencë prej 258 votash.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?