LSI: Më 25 prill shtrohet rruga e rivendosjes së shtetit ligjor

Koordinatori i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Aldi Fusha ka thënë se ndalimi i aktiviteteve me para publike për fushatën elektorale, ka hequr kryetarin e bashkisë së Tiranës nga ekranet e televizioneve.

Fusha e quan Veliajn “Pinok”, ndërkohë që shton se opozita do të ndjekë në mënyrë të veçantë padinë në SPAK për shpërdorim detyre.

“Ndalimi i aktiviteteve me para publike në funksion të fushatës 4 muaj para zgjedhjeve e ka një të mirë. Ka zhdukur nga ekranet e televizioneve Pinokun e bashkisë. Ka kaluar një javë pasi opozita denoncoi se me paratë e rindërtimit, Veliaj shpërblen militantët në pushtet. Vendimi i KQZ-së për ndalimin e këtyre aktiviteteve të pështira, ndoshta nuk do t’i kursejë paratë publike të cilat do të vazhdojnë të derdhen lumë për fushatë. Por, të paktën do na kursejë për 3 muajt e ardhshëm pamjet e neveritshme të propagandës nga kryetari i bashkisë i dalë nga zgjedhjet moniste të 2019. Pinoku i bashkisë e ndjen frikën, ndaj është zhdukur nga ekranet. Padia e regjistruar në SPAK për shpërdorim detyre do të ndiqet në mënyrë të veçantë nga opozita. Drejtësi do të bëhet! Më 25 prill shtrohet rruga e rivendosjes së shtetit ligjor. I japim fund shtetit privat, i pari është qytetari”, u shpreh koordinatori i LSI-së në Tiranë, Aldi Fusha.

SHKARKO APP