LSI: Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë të bëjnë transparencë mbi hetimin e OLAF për fondet e IPARD
Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar sot që Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë të bëjnë transparencë mbi hetimin e OLAF për fondet e IPARD. Koordinatori i LSI-së
për Vorën, Vojo Bregu, ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë tha sot se Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) prej disa ditësh ka nisur një hetim mbi përdorimin e fondeve të BE me projektin IPARD, projekt i cili i vjen në ndihmë, dhe subvencionon agrobiznesin dhe fermerët shqiptarë. Sipas tij, ky hetim i nisur nga OLAF tregon qartë, që paratë e taksapaguesve europianë keqpërdoren nga qeveria shqiptare.
“Jemi këtu sot, për te denoncuar për të disatën here, mungesën e transparencës nga Ministria e Bujqësisë, lidhur me hetimin e nisur nga Zyra e Anti-Korrupsionit pranë Bashkimit Europian, OLAF. Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) është i vetmi organ i BE i mandatuar për të zbuluar, hetuar dhe ndaluar mashtrimet me fondet e BE-së.
OLAF prej disa ditësh ka nisur një hetim mbi përdorimin e fondeve të BE me projektin IPARD, projekt i cili i vjen në ndihmë, dhe subvencionon agrobiznesin dhe fermerët shqiptarë. Ky hetim i nisur nga OLAF tregon qartë, që paratë e taksapaguesve europianë keqpërdoren nga qeveria shqiptare.
Lidhur me këtë fakt, Ministria e Bujqësisë dhe AZHBR kanë dalë me një deklaratë, e cila është fshirë pas nje ore. Në këtë deklaratë pretendohej se ky kontroll është një kontroll rutinë auditimi nga Bashkimi Europian. Në ekran keni dhe deklaratën e Ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR të fshirë brenda orës.
Për të sqaruar, theksojme se OLAF, pra zyra anti-korrupsion e Bashkimit Europian, nuk është një organ përgjegjës për auditimin e fondeve, por ekskluzivisht për investigimin e mashtrimit dhe korrupsionit me fondet e BE.
Kërkojmë nga qeveria shqiptare dhe Ministria e Bujqësisë të bëjë transparencë lidhur me këtë hetim të nisur nga OLAF. Përfundimet e këtij hetimi do të ndikojnë seriozisht në të ardhmen për financimin nga Bashkimi Europian të projekteve për bujqësinë. Ky hetim po rrezikon seriozisht një punë disavjeçare për të bindur institucionet e BE për të futur Shqipërinë në këtë program, që fermerët dhe agro biznesi shqiptar të zhvillohen dhe të kenë mundësi financimi.
Të pangopur me PPP-të, tenderat e paracaktuar, Rilindasit janë të gatshëm të rrezikojnë edhe integrimin europian të vendit, vetëm për të vjedhur, kete radhe jo taksat e shqiptarëve por ato të qytetarëve europianë”, deklaroi Bregu.