LSI: Qeveria shpërndau 40 milionë euro në Durrës për të influencuar dhe blerë votat e qytetarëve
Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon Qeverinë se shpërndau 40 milionë euro në Durrës për të influencuar dhe blerë votat e qytetarëve në zgjedhjet e 25 prillit.
“Ditë pas dite dalin fakte, të cilat vërtetojnë se si Edi Rama dhe banda e tij blenë, manipuluan e vodhën zgjedhjet e 25 prillit. Për të gjitha denoncimet që ne kemi bërë publikisht apo në Policinë e Shtetit, Prokurori dhe SPAK ende nuk kanë nisur hetimet.
Drejtuesit e institucioneve shtetërore, duke thyer Kodin Zgjedhor, kanë abuzuar me detyrën e tyre dhe fondet e buxhetit të shtetit për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve e për të detyruar votën e tyre.
Rasti i dëmshpërblimeve të tërmetit është rasti më flagrant për të cilin Prokuroria dhe SPAK ende nuk kanë folur. Qeveria ka përdorur pak ditë përpara zgjedhjeve miliona euro të buxhetit të shtetit për të blerë votën e qytetarëve në zonat e prekura nga tërmeti.
Vetëm në këto zona qeveria ka shpërndarë 40 milion euro dhe në mënyrë fiktive ka rritur faturën e dëmeve të shkaktuara nëpër banesa, me qëllim blerjen e votës. Banesa të kategorizuara më parë si DS1, u rivlerësuan në DS2, ato DS2 u rivlerësuan si DS3 e kështu me radhë.
Vetëm gjatë javës zgjedhore në Bashkinë e Durrësit u shpërndanë 6 milion euro para për dëmet e tërmetit, dhjetëra herë më shumë se sa janë shpërndarë në këtë bashki prej 1 viti e gjysmë.
E njëjta strategji e përdorimit të institucioneve shtetërore për të influencuar dhe blerë votën e qytetarëve u përdor në datën 24 prill me rimbursimin e naftës për fermerët, ku dyert e Drejtorisë së Bujqësisë u hapën ditën e shtunë gjatë heshtjes zgjedhore për t’u shpërndarë tollona nafte fermerëve.
Po ashtu, ditë pas dite do të dalin fakte të reja se si u rrit numri i të punësuarve në administratë. Grupi ynë i juristëve po vazhdon të mbledhë fakte e prova, të cilat do i paraqesim pranë organeve kompetente.
Përfitoj nga kjo konferencë për të inkurajuar çdo qytetar, i cili ka informacion të mëtejshëm mbi blerjen e votës apo përdorimin e institucioneve shtetërore për të tjetërsuar votën, që t’i vendosë ato në dispozicion të drejtësisë.
Edi Rama nuk i ka fituar zgjedhjet, ai i bleu ato, por serish nuk ia doli!”, deklaroi nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj.