Luan Rama: Ferri është bosh dhe djalli është kryeministër

Nga Luan Rama

FERRI ËSHTË BOSH DHE DJALLI ËSHTË KRYEMINISTËR
Edi Rama po e shtyn veten në shtegun e marrisë e të turpit, jo prej padijes e as prej kalamendjeve të veta që burojnë prej delirancës politike, po prej frike e prej tute, pasi e di shumë mirë që afrimi i ditës së gjykimit, ka me e nxjerrë cullak në sytë e gjithë botës.
E mandej, zdrala e zullumeve të qeverisjes së tij ka me e mbulu të gjithin, e të gjithë do ta tregojnë me gisht si zullumqarin e pushtetit.
Kjo nuk është ndonjë humbje e madhe, madje për vendin është shpëtim, sepse në fund të fundit gjithësecili e zgjedh vetë fatin e vet.
Por, bashkë me veten, Edi Rama po e merr rrëshqanas e mbërthyer prej fyti në shtegun e marrisë e të turpit edhe Partinë Socialiste, nëse me Partinë Socialiste kuptojmë tufën e të përdorurve prej tij që janë deputetë, e jo anëtarët e simpatizantët e saj që nuk i ka lidhë asnjëherë e nuk i lidh as sot asgjë me shpërdorimin e pushtetit, me korrupsionin e pushtetit, me vjedhjet e pushtetit, me krimet e pushtetit.
Kushtetuta që iu dha vendit me referendumin e vitit 1998, është puna e parë patriotike e Partisë Socialiste si maxhorancë në qeverisjen e vendit.
Eshtë shenja e parë e kontributit në rindërtimin e shtetit që kishte dalë prej rrënimit të viteve 1996-1997.
Është gjurma ndryshe e raportit të një partie që pushtetin e kishte instrument në shërbim të shtetit.
Unë e kam për nder që kam qenë në atë kohë deputet i Partisë Socialiste dhe që kam diskutuar, që kam kontribuar dhe që e kam votuar Kushtetutën e vendit tim, sepse me atë Kushtetutë u hodhën themelet e shtetit modern, demokratik dhe pluralist në Republikën e Shqipërisë.
Me atë kushtetutë u sanksionua shteti i të drejtës, ndarja dhe balancimi i pushteteve, u sanksionuan liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, u garantuan liritë qytetare.
Në atë kushtetutë u sanksionua edhe vokacioni perëndimor i një kombi.
Me pak fjalë, me atë kushtetutë, shqiptarët filluan të besojnë se mund të jenë qytetarë të një vendi normal e shtetas të një shteti demokratik.
Mirëpo, Edi Rama që po e shtyn veten në shtegun e marrisë e të turpit, bashkë me veten, po e merr rrëshqanas në atë shteg edhe Partinë Socialiste.
Kjo po që është një humbje e madhe, humbje e madhe për Partinë Socialiste, por është humbje e madhe edhe për vendin.
Edi Rama që po e shtyn veten në shtegun e marrisë dhe të turpit, e shkeli marrëveshjen politike dhe konsensuale të pesë qershorit, garantë të së cilës u bënë zonja ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, dhe dy zotërinjtë ambasadorë të Bashkimit Europian dhe të Mbretërisë së Bashkuar.
Por bashkë me veten, Edi Rama po e shtyn edhe Partinë Socialiste të shkelë marrëveshjen politike dhe konsensuale të pesë qershorit.
Nuk kishte ndodhur më parë që Partia Socialiste të bëhej shkelëse e një marrëveshjeje të pranuar e dakordësuar prej të gjithëve, dhe që prej rrethanave politike në të cilat gjendet vendi, ishte, dhe në fakt është ende, kushti i parë ndër pesëmbëdhjetë kushtet që na ka vënë Europa për nisjen e procesit të negociatave.
Nuk kishte ndodhur më parë që Partia Socialiste t’i kundërvihet një dokumenti politik, të hartuar dhe miratuar me përkujdesjen dhe vëmendjen e veçantë e partnerëve strategjikë të Shqipërisë dhe të pranuar edhe prej asaj vetë, paçka se jo me dashjen apo pëlqimin e Edi Ramës, sikundër ai e konfirmoi vetë kur tha se unë nuk e kam dashur, por e pranova.
Nuk kishte ndodhur më parë që Partia Socialiste t’i ikte rrugës së bashkëpunimit dhe të dialogut e të bëhej kundër interesave europiane të vendit, të bëhej bllokuese e rrugës së integrimit europian!
Nuk kishte ndodhur më parë që Partia Socialiste, e vetme të prishë punën e vet të parë patriotike në të mirë të ketij vendi, kushtetutën që në referendumin e vitit 1998 e ka mbrojtur me sakrificat e njerëzve të saj pëllëmbë për pëllëmbë në të gjithë vendin.
Edhe kur ka vënë dorë mbi kushtetutën për ta cënuar e deformuar atë, si në vitin 2008, këtë të paktën e ka bërë në dakordësi me të tjerët, nuk e ka bërë e vetme siç po bën tani e kapur prej fyti dhe e tërhequr rrëshqanas prej kryetarit të vet.
Kushtetuta nuk është tabu e si e tillë nuk është e paprekshme.
Por, ndërhyrjet në të bëhen të studiuara, bëhen me transparencë dhe pasi të jetë debatuar me specialistë, me njerëz të zotë të fushës dhe të jetë konkluduar me frymë bashkëpunimi e konsensusi.
E mbi të gjitha, ndërhyrjet në kushtetutë bëhen për ta përmirësuar e për ta përsosur dhe jo për ta shkatërruar.
Partia Socialiste është ende në kohë t’i shpëtojë marrisë dhe turpit. Pra është ende në kohë t’ia shpëtojë nderin emrit të saj.
Ështe ende në kohë të mbrojë të paktën punën e parë të mirë që ka berë për këtë vend si forcë qeverisëse.
E sa për Edi Ramën, atë as nuk e mbron dhe as nuk e shpëton dot.
Ankthi e makthi që e ka kapluar dhe që ai e shfaq gjithkund e sa herë del e flet, nuk kanë për ta lëshuar asnjëherë, për sa kohë që ferri është bosh dhe djalli është kryeministër.

SHKARKO APP