Luan Rama: Kuvendi në antikushtetutshmëri, komisioni për Metën le të vazhdojë të konturojë turpin e vet
Zëvendës kryetari i LSI-së Luan Rama ka komentuar zhvillimet politike sot në rubrikën “Opinion” në News24 duke u ndalur tek përplasja mes Kuvendit dhe Presidentit.
Ai e cilësoi Kuvendin në antikushtetutshmëri që nga momenti që Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit e sa i përket komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta tha se mund të vazhdojë të konturojë turpin e vet.
“Përpiqem të jemi distancuar interesi i thjeshtë politik në vlerësimin apo këqyrjen e këtij fenomeni. Të gjithë jemi qytetarë të këtij vendi dhe me rëndësi është imazhi. Mungesë institucionesh, mungesë bashkëpunimi mes institucionesh, akuza të ndërsjella, qëllime që kalojnë tagrin e institucioneve. Me këtë zallamahi problemesh secili mund t’ia bëjë pyetjen vetes, a është Shqipëria e gatshme të meritojë hapjen e negociatave? Një vend që praktikisht ka bërë të mundur edhe në kuptimin edhe real të rënies së shtetit. Shtet karagjoz, Kuvendi në antikushtetueshmëri. Në kuptim formal se në kuptimin moral është i rënë. Me atë komision kuvendi nuk bën gjë tjetër veçse forcon më mirë portretin e vet të deformuar.
Kuvendi duhet të kishte pushuar veprimtarinë e vet që kur Gjykata Kushtetuese ra. Në dy vjet Kuvendi është në ilegjitimitet. Ai komision le të vazhdojë të konturojë turpin e vet dhe nuk më krijon asnjë lloj sugjestioni për t’u marrë me të. Se do ishte humbje kohe dhe humbje niveli për t;u marrë me një gjë të pavlerë”, deklaroi Luana Rama.
Sipas numrit dy të LSI-së se qëndrimi i Presidentit, duke iu referuar kallëzimit për kreun e KED Ardian Dvorani, vjen për shkak të kësaj maxhorance dhe sjelljes së saj.
“Presidenti Meta ka shkuar në kushtetuese edhe për reagimin që pati maxhoranca për 30 qershorin. Për herë të parë maxhoranca shqiptare shfaqet me këtë lloj papërgjegjshmërie. Nuk ka ndodhur më parë, me gjithë problemet që ka pasur. nuk ka ndodhur më parë që antagonizmi politik të arrinte këto përmasa. Presidenti është në ushtrimin e detyrës së vet. Këtu nuk është fjala për Ilir Metën por për Kryetarin e Shtetit, presidenti i Republikës. Në çdo vend jo vetëm respektohet, nderohet por mbështetet në gjithë aksionin e vet për të mbrojtur Kushtetutën. nuk do të thotë që presidenti nuk gabon por këto i shqyrton vetëm Gjykata Kushtetuese. Jemi gati që nga qershor i vitit 2016 dhe ka ende institucione të qeverisës së sistemit të drejtësisë që nuk janë qeverisur”, tha Rama.
Mes të tjerash Luan Rama tha se maxhoranca duhet të marrë përgjegjësitë e veta, pasi sipas tij po shkon nga aventura në aventurë.
“Maxhoranca duhet të marrë përgjegjësitë e veta, pasi është fajtore sepse me arrogancën e vet po shkon nga aventura në aventurë dhe nga gabimi në gabim. Të qënit në maxhorancë nuk të jep të drejtë të kalosh nga gabimi në gabim. Reforma në drejtësi është thirrje për politikën e këtij vendi dhe pikë së pari për maxhorancën, që ka instrumente për të manipuluar atë. ‘Larg duart nga reforma në drejtësi’ është kredoja për shqiptarët”, pohoi ai.
Teksa u pyet në lidhje me faktin se çfarë mendon për idenë e hedhur nga presidenti Ilir Meta për një referendum, Luan Rama e mbështeti si nismë.
“Ideja e referendumit është ide që më pëlqen. Është instrument që kanë në dorë shqiptarët. Është i realizueshëm duke përcaktuar se çfarë do të çojmë në referendum. Doni krimin në zbatimin e ligjit apo qytetarët në legjitimitet? Nuk ka partnerë ndërkombëtar që të inkurajojnë në shkeljen e Kushtetutës. Ambasadori Borchardt gjest fyes ndaj shqiptarëve me gishtin. Raporti me ndërkombëtarët duhet të jetë transparent dhe funksional. Respekti ndaj tyre është luajaliteti dhe jo servilizmi”, përfundoi ai.