Lubonja kërkon vazhdimin e protestave: Të dorëhiqet Erion Veliaj
Analisti Fatos Lubonja ka mbajtur fjalën para protestuesve në sheshin para ministrisë së Brendshme, ku protestohet kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.
Lubonja kërkoi dorëheqjen e Erion Veliajt, ndërsa bëri thirrje për protesta të vazhdueshme.
“Shembja e Teatrit ishte si një shembje brenda nesh, si një shembje ndaj lirisë, ndaj dëshirës sonë për të jetuar në një vend me demokraci dhe goditje ndaj të ardhmes sonë. Këtu kemi një bandë kriminale shumë të rrezikshme dhe duhet të mendojmë thellë se si duhet të veprojmë për t’u çliruar. Bashkë me entuziazmin secili nga ne duhet të ketë edhe nga një projekt në kokë. Ajo që unë mendoj, ky projekt duhet të fillojë me një protestë të vazhdueshme, për nxjerrjen para gjyqit për shkatërrimin e kësaj prone për të gjithë autorët e këtij krimi.
Qytetarët duhet të mendojnë për të nxjerrë para gjyqit të gjithë autorët e këtij krimi. Sot duhet të dorëhiqet Veliaj i pari, duhet ta kërkojmë sot, nesër, vazhdimisht derisa të jetë i gatshëm për Prokurorinë për shkeljet që ka bërë.
Ne duhet të protestojmë përpara prokurorisë. Ky proces do të çojë te kryetari i bandës që është Edi Rama dhe jo vetëm por tek shkatërrimi i gjithë mekanizimit të pushtetit që ai ka ngritur.
Rama ka bërë që të futet krimi në politikë dhe në ekonomi si dhe ka shkatërruar Shqipërinë. Përpara nesh kemi pushtet shumë të rrezikshëm që kërkon të jemi shumë të fuqishëm. Kjo bandë na ka shkaktuar një traumë.
Duhet gjyq për të gjithë këta, që të hapim Shqipërinë e lirisë dhe jo Shqipërinë e kriminelëve. Këta kanë shkatërruar Tiranën. Të mbajnë përgjegjësi”, tha Lubonja.