Luçiano Boçi: Pas 14 majit, bashkia e Elbasanit do të hapet për qytetarët

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Elbasanit, ish-deputeti Luçiano Boçi ka deklaruar se pas 14 Majit, bashkia do të hapet për qytetarët dhe vendimmarrja do jetë në duart e tyre. Në mbyllje të fushatës elektorale në Elbasan, Boçi theksoi se gjatë fushatës njerëzit i janë ankuar për rrugët e dëmtuara, ndotjen, ujërat e zeza, shkollat e kopshtet, ndër të tjera.

”Fitorja jonë krijon horizonte të reja për demokracinë. Prej javës tjetër vendimmarrja është prona juaj si kurrë më parë. Unë dua të shpreh mirënjohjen për këto javë të fushatës. Ju keni qenë bindës, të vërtetë dhe imponues. Mësimi kryesor është se e vërteta ka qenë dhe mbetet prona më e çmuar e njerëzve të thjeshtë. Kjo qeveria ju ka zhvlerësuar trojet dhe ju ka vjedhur cilësinë e jetës duke u varfëruar deri në dëshpërim.

Zemra e kësaj fushate mbetet e vërteta juaj për ndryshim dhe përparim e siguri. Mijëra më folën për rrugët e pashtruara, askush nuk u ankua se nuk ka ku t’i japë ‘Ferrarit’. Rrugët janë të shkatërruara, ndotja nga inceneratori është e madhe. Ujërat e zeza mbulojnë lagjet. Qindra prindër m’u ankuan për shkollat e kopshtet.

Dhjetëra nxorën lakuriq propagandën boshe të një regjimi që ngre flamuj të kuq tenderash kudo që shkel. Zgjidhja jonë nis te bashkimi i qytetarëve, socialistë apo demokratë. Deri sot shqiptarët e kanë përballuar krizën duke u larguar nga vendi. Unë besoj se mund t’i zgjidhim problemet tona sot në Elbasanin tonë”,-tha Boçi.

SHKARKO APP