Luçiano Boçi: Rama mendon se i vendos dot kushte PD-së, pasi ka Alibeajn si sekser
Deputeti demokrat, njëherësh edhe anëtar i Komisionit të Rithemelimit, Luçiano Boçi ka reaguar pas deklaratës së Enkelejd Alibeajt në lidhje me zgjedhjen e Presidentit të ri. Për të Alibeaj është një sekser politik i Edi Ramës, në mënyrë që ky i fundit t’i vendos kushte Partisë Demokratike. Ai gjithashtu thotë se Alibeaj është i shkarkuar nga demokratët dhe se për këtë nuk mund të vendos kushte.
Postimi i plotë
Alibeajt, tani që Rama e ka zyrtarizuar si sekser politik, i ngjan se mund t’i vendosë kushte dhe vetë Partisë Demokratike. Deklaron teatralisht se do të thërrasë dhe grupin e rithemelimit për negociatat me kusht?
Një i shkarkuar nga demokratët nuk mund të vendosë kushte. Këtë thirrje nuk e ka seriozisht dhe sinqerisht për zgjedhjen e Presidentit. Pasi hodhi në erë procesin kushtetues për presidentin, duke u ulur në prehrin e Ramës si i preferuari i tij, tani po kërkon të kënaqë Ramën dhe të sanksionojë përçarjen e Grupit Parlamentar në dy grupime, njërin prej të cilëve e zotëron ai me hipotekë. Grupi Parlamentar i PD është një, jo siç do ta shohë z. Alibeaj, të bërë copash.
Thirrjen e tij e vendos Kryesia e grupit, jo një deputet. Unë dhe z.Salianji në cilësinë e nën/kryetarit e kemi kërkuar me këmbëngulje mbledhjen e Kryesisë dhe të Grupit, ku të sanksionohej rikthimi i të shkarkuarve, por z.Alibeaj e ka refuzuar, megjithëse i ka munguar dhe tagri për ta bërë. Sot i duhet diversioni dhe përsërit refrenin e mospranimit të z.Berisha. Po kërkon kështu njëherazi të legalizojë veten, bashkëpunimin e pistë me Ramën dhe të vulosë përçarjen për hir të axhendave të njohura.
Z.Alibeaj me veprimet e tij të disata ka dëmtuar interesin e demokratëve dhe po shpëton fytyrën e Ramës. Partia Demokratike është e vendosur për të vazhduar negociatat në nivel politik jashtë skemave të paracaktuara në zyrat e Ramës, për t’i dhënë shqiptarëve një President të denjë.