“Lufta” e procedurave në PD
Kur ka mbetur më pak se një javë nga zgjedhjet për kryetarin e PD-së së vulës, ka nisur beteja e radhës për legjitimitetin e procesit. Njerëzit e Bashës kërkojnë vijimin e procesit, por kundërshtohen nga të besuarit e Gazment Bardhit që i kërkojnë këtij të fundit që të veprojë në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm dhe të ndalë garën.
Shtatë nga deputetët që ishin pozicionuar kundër rikthimit të Bashës dhe kishin premtuar se do të thërrisnin një Këshill tjetër Kombëtar, pasi sipas tyre mbledhja e këtij organi në datën 20 Qershor ishte e pavlefshme, tashmë deklarojnë se kanë marrë pëlqimin 276 anëtarëve dhe kërkojnë ndërhyrjen e Sekretarit të Përgjithshëm.
“I kemi dorëzuar zyrtarisht Sekretarit të Përgjithshëm një relacion të detajuar, së bashku me kërkesën për të ushtruar kompetencat e tij statutore. Të bindur se aktet përçarëse, përjashtimet, njëanshmëria dhe nxitimi, nuk ndihmon në ringritjen e PD, ne gjejmë rastin të kërkojmë nga Sekretari i Përgjithshëm që të ushtrojë kompetencat që i njeh statuti dhe të ndërmarrë çdo iniciativë statutore për të frenuar përçarjen e mëtejshme të Partisë Demokratike”, tha deputeti demokrat Bledion Nallbati.
Por sekretari për çështjet ligjore në PD, Indrit Sefa, pjesë e grupit që mbështet Bashën, e quan antistatuore kërkesën e tyre dhe i akuzon se po bëhen patericë e Sali Berishës. “Pasi u njohëm me deklaratën e 7deputetëve që kërkojnë bllokimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit të PD, me keqardhje konstatoj se kërkesa e tyre është antistatuore. U kujtoj deputetëve, se Anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe vetë Këshilli Kombëtar, shprehen vetëm me vendime. Pretendimi për konstatim të vullnetit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar jashtë instrumenteve statutore të Mbledhjes së Këshillit Kombëtar, është në kundërshtim me dispozitat e Statutit”, tha Sefa.
Njerëzit e Bashës, për të qenë më të qetë për rikthimin e tij në krye të PD, duket se kanë zhvilluar një mbledhje të Kryesisë në 18 Korrik, duke mbajtur atë të fshehtë, dhe i kanë hequr vulën Gazment Bardhit. Dokumenti mban 15 emra dhe 16 firma, pasi Oriola Pampuri duket se nga zelli e ka sigluar shkresën dy herë.
“Urdhërohet Sekretari i Çështjeve Ligjore dhe Zgjedhore, Z. Indrit Sefa për prodhimin dhe administrimin e vulës së Partisë Demokratike”, thuhet në vendim. Gazment Bardhi në një reagim për A2 CNN, vendimin e Kryesisë nuk e konsideron si të pavlefshëm, pasi mbajtja dhe arkivimi i vulës është i përcaktuar në statut.
“Statuti i Partisë nuk ndryshohet me vendim të Kryesisë, e aq me pak me vendim pa kuorum të kryesisë! Statuti është vullnet i përbashkët i rreth 7000 anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PD. Për këtë arsye, për zhvillimet në PD referojuni vetëm dispozitave të Statutit, se me letra me firma mund t’iu vij këto ditë edhe ndonjë vendim për sekuestrimin nga “Kryesia e PD” e kurorës së mbretit të Anglisë!”, shprehet ai.
Bardhi pohoi gjithashtu do të respektojë kërkesën e 276 anëtarë të Këshillit Kombëtar, përcjellë përmes deputetëve, për të thirrur një mbledhje të këtij organi. /A2cnn/